NASA: Asteroidi "Zoti i kaosit" do të kalojë pranë Tokës brenda 3 vitesh
Një asteroid me madhësinë e tre fushave të futbollit do të kalojë pranë Tokës brenda tre vitesh, duke u dhënë shkencëtarëve një shans të rrallë për të studiuar një shkëmb kolosal hapësinor nga afër.
I quajtur Apophis — sipas hyjnisë së lashtë egjiptiane të njohur si "Zoti i kaosit" — asteroidi pritet të kalojë pranë planetit më 13 prill 2029, sipas NASA-s.
Ai do të vijë rreth 32,186 km nga sipërfaqja e Tokës, që është më afër se shumë satelitë në orbitë, ka njoftuar agjencia.
Shkencëtarët e konsiderojnë Apophisin si "një asteroid potencialisht të rrezikshëm".
Por, NASA ka njoftuar se nuk ka rrezik të përplasjes me Tokën për të paktën 100 vjet.
"Nuk ka rrezik për Tokën, për askënd ose asgjë që jeton në të, ose për astronautët apo satelitët në hapësirë", tha agjencia.
"Por ngjarja është një mundësi e mahnitshme dhe krejtësisht e pashembullt për të mësuar shumë më tepër rreth Apophis dhe asteroidëve të ngjashëm pranë Tokës", shtoi ajo.
Ndryshe, është jashtëzakonisht e pazakontë që një asteroid aq i madh sa Apophis të kalojë kaq afër Tokës.
NASA vlerëson se ngjarje të tilla ndodhin mesatarisht një herë në disa mijëra vjet.
Nëse ky vlerësim është i saktë, atëherë kalimi i asteroidit në vitin 2029 do të jetë i pari i këtij lloji në histori që do të vëzhgohet nga afër me teknologjinë moderne.
Apophis u zbulua për herë të parë më 19 qershor 2004 nga astronomët Roy Tucker, David Tholen dhe Fabrizio Bernardi në Observatorin Kombëtar Kitt Peak në Arizona. /Telegrafi/


