Mourinho ndez tifozët e Real Madridit me deklaratën e tij të parë pas rikthimit
Trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka dhënë intervistën e tij të parë zyrtare pasi drejtoi seancën e parë stërvitore në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas.
Portugezi theksoi se rikthimi i tij në "Santiago Bernabeu" nuk është thjesht një punë, por një mision për ta çuar klubin drejt sukseseve të reja.
"Fjalët nuk mjaftojnë, sepse kjo për mua është një mision. Nuk jam këtu për të menduar për veten apo për sa shumë do të fitoj. Jam këtu për t'i ndihmuar të gjithë të bëhen më të mirë, lojtarët, stafin, për të krijuar një kulturë pune, përgjegjësie, ambicie dhe diçka që e njoh shumë mirë: përgjegjësinë dhe nderin për të punuar për Real Madridin", deklaroi Mourinho.
"Më pëlqen shumë ky koncept. Nuk bëhet fjalë të punosh te Real Madridi, por të punosh për Real Madridin. Kjo është fryma e misionit që më ka sjellë këtu”.
🔊 Mourinho: “Trabajar para el Real Madrid es un honor y una responsabilidad”. pic.twitter.com/Kv78OeO302
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) July 10, 2026
Mourinho zbuloi se puna për sezonin e ri kishte nisur shumë kohë përpara mbërritjes së tij në Madrid, duke bashkëpunuar vazhdimisht me drejtuesit e klubit.
"Kemi punuar shumë fort. Nuk është se erdha sot dhe gjithçka filloi tani. Prej kohësh kemi bashkëpunuar me strukturat e klubit në nivele të ndryshme. Sot teknologjia të lejon të punosh edhe pa qenë fizikisht këtu”.
Portugezi foli edhe për fazën përgatitore, duke theksuar se do ta shfrytëzojë maksimalisht periudhën e ardhshme për të njohur skuadrën dhe talentët e rinj.
"Do t'i shfrytëzojmë maksimalisht dy javët e ardhshme. Sigurisht që do të doja t'i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion, por kjo është një mundësi e mirë për të njohur futbollistët e rinj dhe që edhe ata të më njohin mua”.
"Shumë prej të rinjve do të jenë gjithashtu pjesë e Castillas dhe mua më pëlqen të kontribuoj në zhvillimin e tyre”.
“Me kalimin e kohës do të na bashkohen edhe kampionët e botës. Jam plot besim dhe me ndjenjën se e dua këtë klub”, përfundoi ai./Telegrafi/


