Please enter at least 3 characters.

"Mirë se na erdhe nga akujt e Kanchenjungës", Kurti pret alpinisten Uta Ibrahimi

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka pritur në një takim nderimi alpinisten Uta Ibrahimi, e cila së fundmi ka përmbyllur ngjitjen në 14 majat më të larta të botës, të gjitha mbi 8 mijë metra lartësi, duke u bërë gruaja e parë shqiptare dhe nga i gjithë Ballkani që e arrin këtë sukses të jashtëzakonshëm.

Në ceremoninë e mbajtur në “Ballkonin e Hapur” të Qeverisë, Kurti u shpreh se ngjitja e shkallëve drejt këtij ambienti ka qenë ndoshta më e lehta për Ibrahimin, krahasuar me sfidat që ajo ka përballuar në akujt e lartësive ekstreme si Kanchenjunga dhe maja të tjera ikonike të Himalajeve.

“Uta, mirë se na erdhe nga akujt e Kanchenjungës! Kësaj radhe na erdhe edhe me histori në supe, si gruaja e parë shqiptare dhe nga i gjithë Ballkani që ka ngjitur 14 majat më të larta të botës. Përkundër që ngjiti malet më të larta të botës, ajo gjithmonë ka qenë me këmbë në tokë – me dashamirësinë shoqërore për cilindo që e njeh,” tha Kurti.

Kurti vlerësoi kontributin e Ibrahimit jo vetëm si arritje personale, por edhe si një burim frymëzimi për të gjithë shoqërinë, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë në Kosovë.

Ai e falënderoi atë për përfaqësimin dinjitoz dhe përkushtimin e palëkundur, duke theksuar se puna e saj nuk matet me altimetër, por me ndikimin që ajo ka lënë në zemrat e njerëzve.

“E falënderojmë përzemërsisht për punën dhe kontributin e saj – si qeveri, si institucione, por para së gjithash, si qytetarë,” përfundoi Kurti.