Ministria e Arsimit shpall fituesin e konkursit për ditarët, por me hije të rënda dyshimi
Hije dyshimi janë ngritur mbi procesin e përzgjedhjes së shtëpisë botuese që do të furnizojë me ditarë institucionet e arsimit parauniversitar. Nga dy operatorët në garë, njëri është diskualifikuar që në fazën fillestare.
Duke nisur nga viti i ri shkollor, ditarët dhe dokumentet e tjera të nevojshme për organizimin e procesit mësimor mund të ndryshojnë furnitor.
Ministria e Arsimit, e cila tash e disa vite furnizohet me dokumentacionin shkollor nga shtëpia botuese “Dukagjini”, e përzgjodhi një tjetër shtëpi botuese si furnitore për tri vitet e ardhshme të nga vitit 2026 deri më 2029.
Fituese e konkursit, i cili ka ngritur pikëpyetje për transparencën dhe mënyrën e zhvillimit të procesit, u përzgjodh shtëpia botuese “Pema Sh.P.K”, ka mësuar Paparaci.
Rezultatet preliminare të konkursit u shpallën zyrtarisht në uebfaqen e Ministrisë së Arsimit. Data e publikimit të rezultateve, sipas dokumentit të publikuar nga MASh, është 29 korriku (29.07.2026). Por shpallja është kryer të hënën më 3 gusht (03.08.2026).
“Pas shqyrtimit të aplikimeve, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në konkursin e shpallur më 25.06.2026, për përzgjedhjen e dokumentacionit shkollor për periudhën deri në tri (3) vite, nga viti shkollor 2026/2027 deri në vitin shkollor 2028/2029, Komisioni i caktuar për përzgjedhjen e botuesit të dokumentacionit shkollor, në mbledhjen e mbajtur më 27.07.2026, ka përzgjedhur operatorin ekonomik/shtëpinë botuese me kodin 1990”, thuhet në shpalljen e MASh.
“Afati për paraqitjen e ankesës është pesë (5) ditë pune nga dita e shpalljes së këtij njoftimi”, theksohet në njoftim.
Vonesa e shpalljes së rezultateve nga dita e përcaktuar në dokument (29.07.2026) ka ngritur hije të rënda dyshimi për trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë dhe transparencën e procesit.
Kjo për arsye se dita e shpalljes së rezultateve preliminare të konkursit përkon të jetë edhe dita e fundit për paraqitjen e ankesave ndaj vendimit. Në këtë rast, operatori i diskualifikuar, shtëpia botuese “Dukagjini”, ka pasur vetëm kohë të limituar për të analizuar vendimin e komisionit dhe përgatitjen e ankesës për rishqyrtimin e vendimit.
Në njoftim janë paraqitur edhe arsyet për eliminimin e shtëpisë botuese “Dukagjini”.
Sipas dokumentit të publikuar nga Ministria, operatori ekonomik është diskualifikuar që në fazën fillestare të shqyrtimit të aplikimit.
Arsyeja e parë e eliminimit, sipas MASh-it, lidhet me mungesën e numrit katërshifror në zarfin e aplikimit. Ndërsa arsyeja e dytë, sipas Komisionit vlerësues, është se zarfi ka përmbajtur elemente identifikuese të operatorit ekonomik
Sipas dokumentit të publikuar nga MASh, vetëm operatori ekonomik me kodin 1990 – që siç ka mësuar Paparaci është shtëpia botese “Pema Sh.P.K.” – ka kaluar të gjitha fazat e vlerësimit, përfshirë vlerësimin e mostrave të dokumentacionit shkollor dhe shqyrtimin e ofertës financiare.
Paparaci ka kërkuar të hënën sqarime nga Ministria e Arsimit lidhur me zhvillimin e procedurës, ndërsa është në pritje të një përgjigjeje zyrtare. /Paparaci.com/


