Please enter at least 3 characters.

Mentor Mripa: “AL-BOOM” – një rikthim me ritëm, humor dhe zemër

Këngëtari rikthehet me albumin e katërt në karrierë, një projekt me tetë këngë të reja, të ndërtuara rreth ritmit, ndjenjës, lojës së fjalës dhe kujdesit për tekstin. Në këtë rrëfim, ai flet për bashkëpunëtorët, klipet, radion, natën dhe këngët që nuk duan të shuhen pas klikimit të parë

Mentor Mripa nuk vjen si dikush që kërkon ta imponojë rikthimin. Vjen më qetë, më lirshëm, me një album që nuk ndërtohet vetëm mbi ritëm, por edhe mbi ngjyra muzikore, ndjenjë dhe kujdes për fjalën e kënduar.

“AL-BOOM”, albumi i tij i katërt, brenda mban një ide më serioze sesa tingëllon në titull: një shpërthim të kontrolluar muzikor, ku argëtimi nuk është i rastësishëm, humori nuk është sipërfaqësor dhe ndjenja nuk vjen e stisur. Pikërisht aty nis edhe veçantia e këtij projekti: te një titull që tingëllon si lojë energjie, por që brenda mban një album të punuar me kujdes, me këngë që nuk duan vetëm të dëgjohen, por edhe të mbahen mend.

Një zë i njohur për publikun dhe një prani e gjatë në radio, Mripa e njeh mirë peshën e natës, të dëgjuesit, të fjalës dhe të asaj ndjesie të hollë që e ndan këngën e momentit nga kënga që rikthehet. Në këtë intervistë, ai flet për albumin e ri, për bashkëpunimin me Hekuran Krasniqin dhe Xhavit Bujupin, për klipet që do ta shoqërojnë çdo këngë, si dhe për kufirin mes asaj që klikohet sot dhe asaj që mbetet nesër.

“AL-BOOM”: rikthimi që nuk kërkon zhurmë

Mentor, vjen me albumin tuaj të katërt me radhë. Çfarë përfaqëson ky projekt në këtë fazë të jetës dhe karrierës suaj: një rikthim, një shpërthim artistik, apo një kapitull që e keni pritur gjatë?

Do ta quaja një rikthim, por jo vetëm në kuptimin e thjeshtë të fjalës. Për mua është një kapitull i ri, një energji që e kam pasur brenda vetes dhe që tani erdhi në kohën e duhur. Në këtë projekt e kam gjetur një frymë që më përshtatet shumë dhe që e këndoj me dëshirë të madhe.

Një rol të rëndësishëm këtu e ka pasur edhe Hekuran Krasniqi, sepse perceptimi i tij muzikor ishte shumë afër asaj që unë e ndieja dhe e kërkoja. Ai arriti ta kuptojë se çfarë doja të sillja, ndërsa unë u ndjeva komod brenda kësaj bote muzikore. Prandaj, për mua ky album është edhe rikthim, edhe kapitull i ri, por mbi të gjitha një projekt që e kam kënduar me zemër.

Vetë titulli “AL-BOOM” tingëllon si një gjetje artistike, por edhe si deklaratë energjie. Si lindi ky emërtim dhe sa i përshtatet karakterit të albumit?

Titulli është një gjetje e mikut tim, Ismet Behxhetit. Të them të drejtën, në fillim nuk më pëlqente aq shumë, por me kohë u mësova me të. Ndoshta edhe për këtë arsye më duket se e ka një veçanti, sepse nuk është një titull i zakonshëm dhe të mbetet në mendje.

Pastaj, kur e shikon karakterin e albumit, ky emërtim fillon të marrë kuptim. Këngët nuk janë të gjitha në një vijë; ka ritëm, humor, ndjenjë dhe stile të ndryshme muzikore. Ndoshta pikërisht kjo shumëllojshmëri e bëri që titulli t’i përshtatet më së miri projektit.

Është një emër që tingëllon lehtë, mbahet mend shpejt dhe e ka brenda idenë e një shpërthimi pozitiv muzikor. Për mua, më shumë se një titull, është shenjë e karakterit me të cilin është ndërtuar ky album.

Në album janë tetë këngë krejtësisht të reja, të gjitha argëtuese, por me stile të ndryshme. A ishte qëllimi që publiku ta njohë një Mentor Mripë më ritmik, më të çliruar dhe më të larmishëm?

Po, gjithsesi. Doja që publiku të më njohë edhe në këtë frymë, pak më ndryshe nga ajo me të cilën ndoshta më ka lidhur deri tani. Këngët janë argëtuese dhe ritmike, por jo të njëjta në karakter; secila e ka mënyrën e vet të komunikimit.

Mua më pëlqen kur kënga të jep liri, kur të bën të këndosh pa u rënduar shumë, por prapë të ketë shije dhe kujdes në realizim. Në këtë projekt jam përpjekur të jem më i çliruar, më i drejtpërdrejtë dhe më pranë dëgjuesit që do këngë të kapshme, por të punuara me dashuri.

Kur një album ka arkitekturë

Të gjitha këngët janë kompozuar dhe orkestruar nga Hekuran Krasniqi. Çfarë e bëri këtë bashkëpunim aq të veçantë sa t’ia besonit tërë arkitekturën muzikore të albumit?

Ah, sa bukur e keni vërejtur, Gaz. Me Hekuran Krasniqin bashkëpunimi erdhi shumë natyrshëm. Heki, siç i themi ne, kishte kohë që kishte dëshirë të ma kompozonte një këngë, por gjërat ndonjëherë ndodhin atëherë kur duhet. Kur filluam të punonim, e pashë se ai e kishte kuptuar shumë mirë se çfarë mund të më rrinte mua si këngëtar.

Ajo që e bëri të veçantë këtë bashkëpunim ishte përkushtimi i tij. Ai nuk e pa albumin vetëm si disa këngë që duhej të përfundoheshin, por si një tërësi muzikore. Dha shumë prej vetes, punoi me përgjegjësi dhe me një energji që më motivoi edhe mua. Unë, nga ana tjetër, u kënaqa duke incizuar, sepse ndihesha brenda një materiali që më përshtatej.

Kur një album punohet me një autor dhe orkestrues të vetëm, sfida është që këngët të mos ngjajnë me njëra-tjetrën. Si keni arritur që secila këngë të ketë identitet të vetin, por albumi të ruajë një frymë të përbashkët?

Kemi biseduar shumë, kemi provuar ide të ndryshme dhe kemi pasur kujdes që secila këngë ta ketë karakterin e vet. Kjo ka qenë pjesa më interesante e punës: të ruhet një vijë e përbashkët, por pa u bërë këngët kopje të njëra-tjetrës.

Me ne ishte gati çdoherë edhe Xhavit Bujupi, i cili jepte ide sidomos në tekst, në atmosferë dhe në mënyrën se si duhej të ndërtohej rrëfimi i këngës. Prandaj, njëra ka më shumë humor, tjetra më shumë ndjenjë, një tjetër më shumë ritëm. Ajo që i bashkon është fryma e përgjithshme, por secila e ka identitetin e vet.

Tri ngjyra të albumit

Tri këngët e para që kanë dalë me klipe e kanë hapur rrugën e albumit para publikut. Pse u zgjodhën pikërisht ato si prezantimi i parë?

Nuk ishte një vendim që e mora vetëm, sepse unë e dua punën ekipore dhe gjithmonë më pëlqen t’i dëgjoj njerëzit me të cilët punoj. “Amore”, “As me shehër, as me Barilevë” dhe “Ti” u zgjodhën sepse, në njëfarë mënyre, e tregojnë më së miri shumëllojshmërinë e albumit.

Secila prej tyre sjell një anë tjetër: njëra ndjenjën, tjetra humorin e karakterin popullor, ndërsa tjetra një frymë më personale. Prandaj, më është dukur se këto tri këngë mund ta prezantonin mirë projektin para publikut, pa e zbuluar të gjithin menjëherë.

Pas “Amore”, më surprizoi edhe produksioni Emsale dhe po kënaqem duke xhiruar me ta. Bashkëpunëtorët e mi menduan se ky album mund të bëjë “boom” në tregun muzikor, edhe pse dihet se çfarë dëgjohet dhe çfarë klikohet momentalisht. Ne, megjithatë, kemi dashur ta nisim me këngë që kanë identitet dhe që e përfaqësojnë mirë këtë rrugëtim.

- YouTube

“As me shehër, as me Barilevë” ka një titull që menjëherë zgjon kureshtje. Çfarë fshihet pas kësaj kënge: humor, dashuri, karakter popullor, lokalitet, apo një lojë e qëllimshme me gjuhën e përditshme?

Teksti “As me shehër, as me Barilevë” është i Xhavit Bujupit dhe mua më pëlqeu menjëherë, pikërisht sepse ka atë thjeshtësinë që të afron me dëgjuesin. Në dukje është një këngë me humor të lehtë, me një titull që të mbetet në mendje, por brenda saj ka edhe disa porosi interesante.

Mua më pëlqejnë këngët që nuk e japin menjëherë krejt kuptimin. Ndonjëherë vargjet duken sikur nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë mes vete, por kur i dëgjon me vëmendje, e kupton se aty ka lojë, karakter dhe një koment të këndshëm mbi jetën e përditshme. Ndoshta pikërisht kjo e bën këngën më të afërt dhe më të veçantë.

Kënga “Ti” ka një titull shumë të thjeshtë, por shpesh këngët më të thjeshta në emër bartin ndjesinë më të madhe. Çfarë “Ti”-je keni pasur parasysh kur e keni sjellë këtë këngë?

Tekstin e kësaj kënge e kam shkruar vetë dhe, për mua, “Ti” nuk është vetëm një person i caktuar. Është një ndjenjë, një frymëzim, një figurë ku secili mund ta gjejë dikë të vetin. Ndoshta pikërisht për këtë arsye titulli është kaq i thjeshtë, sepse ndonjëherë fjalët më të shkurtra bartin më së shumti emocion.

Kam dashur që kënga të ketë simbolikë, por edhe sinqeritet. Të mos jetë e rënduar, por të ketë shpirt. “Ti” mund të jetë dashuri, kujtim, afërsi, mall, ose thjesht një ndjenjë që njeriu e ruan brenda vetes. Për mua është një këngë e shkruar me shumë çiltërsi dhe me një ndjesi artistike që e kam përjetuar natyrshëm.

- YouTube

“Amore” në titull tingëllon si këngë dashurie, ndërsa në tekst ndihet zhgënjimi, ndarja dhe një lloj çlirimi emocional. Pse një fjalë kaq e ëmbël bart një rrëfim kaq të prerë?

“Amore” është një fjalë që ka ëmbëlsi, tingëllon bukur dhe vetvetiu ka muzikë brenda. Por në jetë, jo gjithmonë fjalët e ëmbla mbeten të tilla deri në fund. Nganjëherë një fjalë që dikur është thënë me dashuri, më vonë kthehet në kujtim, në zhgënjim ose në një lloj çlirimi emocional.

Kjo ishte edhe ideja e këngës: të ruhet bukuria e fjalës, por të tregohet edhe ana tjetër e një marrëdhënieje. Mund të them se është frymëzim nga ajo ndjesia kur dikush, dikujt, dikur i thoshte “amore”, ndërsa më vonë rrëfimi merr një drejtim tjetër. Fjala shkon shumë mirë me melodinë, por njëkohësisht krijon kontrastin që e bën këngën më të ndjeshme.

Nga studioja në imazh

Ju keni vendosur që të gjitha këngët e albumit të realizohen edhe me video-klipe, të cilat do të dalin herë pas here. A është kjo mënyra juaj për ta kthyer albumin në një rrëfim më të gjatë dhe sa ndryshe e përjetoni një këngë kur ajo kalon nga studioja në imazh?

Ekzaktësisht. Nuk kam dashur që ky projekt të publikohet njëherë dhe pastaj të lihet të jetojë vetë. Kam dashur që secila këngë ta ketë momentin e vet, hapësirën e vet dhe mënyrën e vet të komunikimit me publikun.

Fillimisht, kënga duhet të më pëlqejë si audio. Aty është ndjenja e parë, zëri, interpretimi dhe ajo që unë përpiqem ta jap nga vetja. Në studio e përjetoj këngën më shumë nga brenda, ndërsa kur ajo kalon në video-klip, fillon të marrë formë tjetër: bëhet më e dukshme, më konkrete dhe merr një jetë tjetër.

Gjatë punës në klipe jam ndier shumë mirë, por gjithmonë mbetet ajo dëshira dhe kureshtja se si do ta presë publiku pas publikimit. Unë nuk bëj shumë reklamë personalisht, por jam shumë i kujdesshëm me produktin. Për audion, asgjë nuk ka dalë pa pëlqimin tim. Edhe te videot, produksioni Emsale ma ka shpjeguar çdo detaj dhe, pa pëlqimin tim, asgjë nuk ka dalë në opinion. Më pëlqen ta ndiej që kënga, edhe kur bëhet imazh, mbetet e imja në frymë dhe në ndjesi.

Melodi që të afrojnë, fjalë që mbeten

Në këtë album ka këngë argëtuese, por të punuara me përkushtim. Ku qëndron dallimi mes një kënge që vetëm të bën të lëvizësh dhe një kënge argëtuese që mbetet gjatë në kujtesë?

Një këngë mund të të bëjë të lëvizësh për momentin, por që të mbetet gjatë duhet të ketë diçka më shumë: tekst, melodi, atmosferë dhe një mesazh që, edhe nëse është i thjeshtë, të prek ose të mbetet në mendje. Kënga argëtuese nuk do të thotë të jetë e lehtë në punë; përkundrazi, ndonjëherë pikërisht këngët që duken më të lehta kërkojnë shumë kujdes.

Natyrisht, publiku është gjithmonë i paparashikueshëm. Asnjëherë nuk mund ta dish saktësisht cilën këngë do ta dojë më shumë. Ti mund të presësh diçka, ndërsa në fund mund të ndodhë krejt diçka tjetër. Nga përvoja në skenë dhe nga dëgjimi i shumë muzikës, tash e ndiej shpejt kur një këngë më pëlqen dhe kur ka diçka që mund të jetojë më gjatë.

Si i zgjidhni tekstet dhe meloditë: kërkoni që kënga të jetë e kapshme menjëherë për publikun, apo të ketë edhe një shtresë më të fshehur emocionale?

Unë nuk këndoj asnjë tekst që nuk më pëlqen, kurrë. Për mua, teksti duhet të ketë diçka që më prek, që më bën ta besoj atë që po e këndoj. Nuk mjafton që një këngë të jetë vetëm e kapshme në dëgjim; ajo duhet të ketë edhe një arsye pse po këndohet.

Në këtë projekt muzikor, Heki, Xhaviti dhe unë jemi munduar që asnjë tekst të mos dalë dosido. Edhe kur kënga është argëtuese, edhe kur është më ritmike, prapë duhet të ketë kujdes në fjalë, në melodi dhe në atmosferë. Më pëlqen që kënga të kapet shpejt nga publiku, por edhe të ketë diçka brenda që, kur e dëgjon më shumë se një herë, ta ndiesh ndryshe.

Kush më njeh, e di sa detajist dhe këmbëngulës jam. Nuk më pëlqen të këndoj vetëm për ta plotësuar një numër këngësh në album. Dua që çdo këngë të ketë arsyen e vet, qoftë për humor, për ndjenjë, për ritëm apo për një mesazh që ndoshta nuk thuhet krejt hapur, por ndihet.

Nga tetë këngët e albumit, cila është ajo që do ta këndonit më me qejf në një ndejë mes miqsh, pa skenë, pa kamera dhe pa protokoll?

Nëse më duhet ta zgjedh një, do ta zgjidhja “Eja në Prishtinë”, baladën tekstin e së cilës e kam shkruar vetë. Ndoshta dikush do të priste të zgjedhja një këngë më ritmike për një ndejë mes miqsh, por ndonjëherë pikërisht në ato ambiente të afërta, pa skenë dhe pa kamera, kënga më e ndjerë del më natyrshëm.

“Eja në Prishtinë” është një nga dy baladat e vetme në album dhe për mua ka një peshë të veçantë. Është këngë që nuk kërkon shumë zhurmë rreth vetes; mjafton ta këndosh me qetësi dhe ta ndiesh. Në një ndejë mes miqsh, ku njerëzit dëgjojnë më shumë me zemër sesa me protokoll, besoj se kjo këngë do të kishte vendin e vet.

Nata, radioja dhe rrëfimi

Ju jeni “zëri i natës” në Radio Kosovë. A ka ndikuar atmosfera e natës, bisedat me dëgjuesit dhe ritmi i radios në mënyrën se si i ndieni këngët?

Besoj se po. Nata ka një ritëm tjetër, një qetësi tjetër dhe një mënyrë tjetër komunikimi me njerëzit. Kur punon gjatë natës në radio, mësohesh ta dëgjosh më shumë zërin, fjalën, emocionin dhe heshtjen mes tyre. Kjo, pa dyshim, ndikon edhe në mënyrën se si e ndien këngën.

Unë moti punoj natën në radio dhe duket se e kam lidhur mirë atë atmosferë me muzikën. Nata më jep një lloj përqendrimi dhe qetësie që më ndihmon të hyj më lehtë në këngë.

Edhe bisedat me dëgjuesit kanë ndikimin e vet. Në radio e kupton se njerëzit lidhen me këngën në mënyra shumë personale. Dikush e dëgjon për kujtim, dikush për gëzim, dikush për mall. Ndoshta kjo më ka bërë që edhe kur këndoj, të mendoj më shumë për atë se si kënga mund të shkojë te dëgjuesi, jo vetëm si tingull, por si ndjenjë.

Keni marrë pjesë në Festivalin e parë të RTK-së, sot “Akordet e Kosovës”, me këngën “Po ju rrëfehem”, të kompozuar nga Riza Dolaku, me tekst të Bekim Bislimit. Si e kujtoni atë përvojë dhe çfarë peshe ka sot kjo këngë për ju?

“Po ju rrëfehem” ka një peshë të veçantë për mua, jo vetëm si këngë, por edhe si kujtim. Ishte kënga e fundit në jetë nga maestro Riza Dolaku, një baladë e jashtëzakonshme, me tekst shumë të bukur nga Bekim Bislimi. Vetëm ky fakt e bën atë këngë të mbetet ndryshe në kujtesën time.

E këndova në Festivalin e parë të RTK-së dhe, edhe sot, e kujtoj me shumë emocion atë përvojë. Më mbeti pak hatri që kënga nuk hyri në finale, jo për mua personalisht, por për hir të Rizës. E ndieja se, duke qenë krijimi i tij i fundit, meritonte të kishte edhe një vëmendje më të madhe.

Megjithatë, këngët nuk maten gjithmonë vetëm me finale e çmime. Disa këngë mbeten për shkak të emocionit, të autorit, të kujtimit dhe të mënyrës se si i ke përjetuar. Për mua, “Po ju rrëfehem” është pikërisht një nga ato këngë që mbetet.

- YouTube

Rruga që vazhdon pas albumit

Çfarë vjen pas albumit të ri, çfarë roli do të ketë kanali “MentorMripaOnair” në këtë rrugëtim dhe çfarë dëshironi të mbetet te publiku nga ky projekt?

Pas këtij albumi kam edhe disa plane, të cilat shpresoj t’i realizoj. Nuk dua të flas shumë para kohe, por dëshira ime është që ky rrugëtim të vazhdojë natyrshëm, me këngë, me klipe dhe me projekte që kanë kuptim për mua si artist.

Kanali “MentorMripaOnair” do të ketë një rol të rëndësishëm, sepse është hapësira ime ku publiku mund t’i gjejë këngët, t’i dëgjojë, t’i rikthejë dhe t’i ndajë me të tjerët. Pres që të vizitohet më shumë, edhe pse unë, siç e them shpesh me shaka, nuk di shumë të bëj marketing, hahaha. Por besoj se kur një këngë e gjen rrugën te publiku, ajo fillon të jetojë vetë.

Ajo që do të doja më së shumti është që këngët e këtij albumi të pëlqehen, por edhe të mos harrohen shpejt. Të jenë këngë që njerëzit i rikthejnë kur duan pak ritëm, pak ndjenjë, pak humor ose një kujtim të bukur.

Në fund, falënderoj Zotin, familjen, Hekuranin, Xhavitin, gjithë shokët, produksionin Emsale, si dhe juve për këtë intervistë kaq profesionale dhe artistike. Punë të mbarë dhe shëndet për ju dhe për lexuesit tuaj besnikë. /Telegrafi/

true