Lozha e Madhe e Shqipërisë shënon 14-vjetorin e themelimit
Më 14 tetor 2025, Lozha e Madhe e Shqipërisë (LMSH) shënoi 14-vjetorin e themelimit të saj, një ngjarje që u cilësua si moment reflektimi mbi rrugëtimin, sfidat dhe arritjet e kësaj strukture masonike, si dhe për misionin e saj në përhapjen e “Dritës, Dashurisë dhe Harmonisë”.
E themeluar më 14 tetor 2011, nën frymën e bashkimit dhe përkushtimit ndaj idealeve shpirtërore e njerëzore, Lozha e Madhe e Shqipërisë përfaqëson sot juridiksionin e vetëm masonik në territorin e vendit.
Sipas njoftimit, përmes punës së vëllezërve Muratorë të Lirë, ajo ka synuar të kontribuojë në ndërtimin shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe në forcimin e vlerave të ndihmës, dashurisë vëllazërore dhe së vërtetës.
Në përvjetorin e 14-të, anëtarët e Lozhës shprehën mirënjohjen e tyre për drejtuesit që kanë udhëhequr këtë rrugëtim: Mjeshtrin e Madh Themelues, MMP Elton Çaçi, Mjeshtrin e Madh të Dytë, MMP Piro Dode, dhe Mjeshtrin e Madh aktual, MMP Aleko Poshnjari.
Në fjalën e tij, Poshnjari shprehu besimin në të ardhmen e Masonerisë së Lirë në Shqipëri.
“Sot, pas 14 vitesh pune, sakrifice dhe dashurie vëllazërore, mund të themi me bindje se Muratoria e Lirë në Shqipëri ka një të ardhme të ndritur. Vëllezërit tanë po ndërtojnë çdo ditë ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, duke mbajtur ndezur Dritën që ndriçon shpirtin dhe mendjen e njeriut të lirë, tha Poshnjari.
Në përfundim të ceremonisë, Lozha përcolli edhe një mesazh simbolik.
“Qoftë Drita e Arkitektit të Madh të Gjithësisë udhërrëfyes i përhershëm i Lozhës së Madhe të Shqipërisë, që ajo të vazhdojë të përhapë Dritë, Dashuri dhe Harmoni midis njerëzve.”
Përvjetori i 14-të i Lozhës së Madhe të Shqipërisë u vlerësua si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit ndaj idealeve që e kanë udhëhequr këtë organizatë që nga themelimi i saj, transmeton Telegrafi.


