Llapi përforcohet me Agon Xhakën
Klubi futbollistik Llapi ka kompletuar transferimin e qendërmbrojtësit Agon Xhaka nga Malisheva.
Xhaka ka nënshkruar kontratë për dy vite, deri më 2028 pas eksperiencës që kishte me Malishevën në Evropë.
Komunikata e plotë pa ndërhyrje:
“KF Llapi ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me qendërmbrojtësin Agon Xhaka, i cili nga sot është zyrtarisht pjesë e familjes bardhekaltër.
29-vjeçari ka nënshkruar kontratë me klubin tonë deri në verën e vitit 2028, duke iu bashkuar projektit të klubit për dy sezonet në vazhdim.
Xhaka vjen në Podujevë pas një periudhe pesëvjeçare shumë të suksesshme me FC Malishevën, ku ishte ndër futbollistët kyç të kësaj skuadre. Gjatë kësaj periudhe ai regjistroi 129 paraqitje zyrtare, duke kontribuar në sukseset e Malishevës – kualifikimet në garat evropiane, për tri sezone radhazi”, thuhet në komunikatë.
Llapi ndërkohë sezonin e tjetër synon Evropën pasi që dy vite ka luftuar për mbijetesë./Telegrafi/


