Lewandowski mes dy ofertave: Rinovim me Barcelonën apo transferim te gjiganti italian?
Barcelona ka disa çështje për të zgjidhur para hapjes së afatit kalimtar veror në fillim të korrikut, dhe njëra prej tyre lidhet me kontratën e Robert Lewandowskit.
Kontrata aktuale e sulmuesit veteran skadon në fund të qershorit dhe, ndonëse një ofertë për rinovim tashmë është në tryezë, ende nuk ka marrë përgjigje.
Me kalimin e javëve, po bëhet gjithnjë e më e mundshme që Lewandowski të mos jetë lojtar i Barcelonës sezonin e ardhshëm. Nëse ai vendos të largohet, gjasat janë që të transferohet në Itali, ku po tërheq interes të madh nga Juventusi, Interi dhe Milani.
Juventusi ka zhvilluar tashmë bisedime me përfaqësuesit e Lewandowskit dhe është i gatshëm të veprojë më shpejt se konkurrenca.
Sipas Tuttosport, një ofertë kontrate i është paraqitur 37-vjeçarit dhe brenda klubit të Serie A ka besim se marrëveshja mund të arrihet në javët e ardhshme.
Juventusi pritet të ndahet me Dusan Vlahovic, i cili më herët është lidhur me Barcelonën, dhe synon ta zëvendësojë atë me Lewandowskin. Në Torino besohet se polaku do të vendosë të largohet nga Katalonia në fund të sezonit, ndaj klubi dëshiron të jetë gati që ta mbyllë menjëherë transferimin.
Edhe pse Barcelona i ka paraqitur Lewandowskit një ofertë rinovimi, një largim i tij këtë verë do të kishte logjikë.
Kursimi i pagës së tij do të ishte vendimtar për të garantuar që përforcimet e reja të regjistrohen në La Liga pa problem, vështirësi që katalanasit i kanë pasur gjatë 2-3 sezoneve të fundit./Telegrafi/


