Mbi 46% të votave të numëruara, kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?
Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave për kandidatët për deputetë që nga e hëna, ndërsa deri më tani janë numëruar 46,38% e tyre.
Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 45 për qind e afro dy milionë qytetarëve me të drejtë vote. Rezultatet paraprake tregojnë se zgjedhjet janë fituar bindshëm nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas të dhënave aktuale, më poshtë janë pesë kandidatët më të votuar nga secila parti, kur janë numëruar pak më shumë se një e treta e votave:
Lëvizja Vetëvendosje
- Albin Kurti – 160.850 vota
- Glauk Konjufca – 125,080vota
- Albulena Haxhiu – 65,370 vota
- Hekuran Murati – 64,768 vota
- Donika Gërvalla – 57,711 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)
- Bedri Hamza – 73,114 vota
- Arian Tahiri – 34,418 vota
- Përparim Gruda – 32,051 vota
- Uran Ismaili – 25,336 vota
- Sala Jashari – 22,997 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
- Lumir Abdixhiku – 35,284 vota
- Hykmete Bajrami – 22,347 vota
- Ukë Rugova – 19,539 vota
- Avdullah Hoti – 17,298 vota
- Doarsa Kica Xhelili – 17,268 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
- Ramush Haradinaj – 17,894 vota
- Daut Haradinaj – 10,977 vota
- Besnik Tahiri – 10,814 vota
- Bekë Berisha – 7,940 vota
- Agim Çeku – 7,246 vota
Bazuar në të dhënat paraprake, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, e pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe me 9 dhe AAK-ja me 6 ulëse.
Personi më i votuar në Kosovë deri më tani është Albin Kurti.
Në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit, ai kishte marrë 337.791 vota, duke thyer rekordin e mëparshëm të presidentes Vjosa Osmani. Mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë ta forcojë këtë rekord edhe në këto zgjedhje.
Numërimi i votave po vazhdon dhe rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen nga KQZ në ditët në vijim./Telegrafi.


