Mes 7500 ekspozuesve prej 125 shteteve nga mbarë bota, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, të shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, vizitoi shtandin e Kosovës në panairin ndërkombëtar Sial 2024 në Paris, që sivjet shënon përvjetorin e 60-të jubilar."Sivjet, në këtë panair, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë po marrin pjesë tetë kompani prodhuese vendore me potencial për rritje të eksportit, të cilat po prezantojnë produktet e tyre nga industria e përpunimit të produkteve bujqësore, industria e pemëve dhe perimeve, produkte konditorike, fruta të imta e të ngrira industriale, pije energjike dhe lëngje frutash", njofton Zyra e Kryeministrit.

Këtë vit pritet që panairi Sial të mbledhë mbi 256 mijë vizitorë, ndaj të cilëve do të ekspozohen produkte dhe makineri të sektorëve të ndryshëm ushqimor.Kurti, së bashku me delegacionin e tij, në bashkëbisedim me përfaqësuesit e kompanive theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive për prodhuesit nga Kosova dhe mbështetjen e tyre përballë sfidave dhe në rritjet e kapaciteteve eksportuese."Kjo mbështetje e mëtejshme për sektorin privat në Kosovë, së shpejti do të ofrohet edhe përmes Agjencisë për Investime dhe Eksporte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit", vijon njoftimi.Gjatë vizitës në panair, delegacioni i Qeverisë së Republikës së Kosovës, vizitoi edhe dy kompanitë nga Shqipëria pjesëmarrëse në këtë panair."Promovimi i kompanive tona në panaire të tilla ndërkombëtare, sikur SIAL 2024, që njihet si panairi më i madh ndërkombëtar për industrinë ushqimore, është e rëndësishme për afirmimin e produkteve nga Kosova në tregjet ndërkombëtare. Kështu ndihmojmë rritjen e eksportit dhe përmirësimin e imazhit të vendit tonë si një vend me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe inovacion", përfundon njoftimi i Zyrës së Kryeministrit./Telegrafi/