Kurti bën thirrje të hapet arkivi i Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë ish-jugosllave
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit të raportit mbi gërmimet në Zubin Potok ripotencoi thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë ish-jugosllave e cila sipas tij, ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë por edhe gjithandej Kosovës, raporton KosovaPress.
“Dua e më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë ish-jugosllave, e cila ka kryer masakra posaçërisht në Drenicë por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës, para 12 vjetësh, është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera. Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund të dënohen me pritje, ankth e dhimbje edhe për 18 vjet të tjera. Andaj, trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet në vitin 2024, e jo në vitin 2044. Të nderuar të pranishëm, të dashur qytetarë, nga prezantimi i hollësishëm nga ana e Komisionit, do të shohim se gërmimet në veri të vendit kanë qenë të pakta dhe të kryera në rrethana të vështira. E shpeshherë të nxitura për shkaqe pasigurie, çka dëshmon se luftimi i bandave kriminale, shtrirja e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit tonë, kanë qenë parakusht që hetimet, gjurmimet e gërmimet të kenë sukses dhe ato të bëhen në mënyrë të papenguar”, tha Kurti.
Ai shtoi po ashtu se shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të shtojë më shumë trysninë ndaj Serbisë që të zbatojë deklaratën për personat e zhdukur me dhunë.
“Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi. Të dyja, zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t'i ikë përgjegjësisë. E nuk mjaftohet me këtë, Serbia arreston e përndjek edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare. Andaj, më shumë se tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior, që të zbatojë deklaratën për personat e zhdukur me dhunë, të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Kurti.
Deri më tani sipas autoriteteve të vendit, edhe rreth 1600 persona janë të pagjetur në Kosovë. /KP/


