Kryqi i Kuq përmirëson kushtet mësimore për nxënësit në Drenas
Nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” kanë finalizuar me sukses projektin “Promovimi i Vlerave Humane (PVH)”, i realizuar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës dhe me mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas.
Përmbyllja e projektit u shënua me organizimin e një klase verore, e cila u vlerësua si një nga komponentët kryesorë të kësaj nisme edukative. Në kuadër të projektit është realizuar edhe renovimi i hapësirës së klasës verore, duke krijuar kushte më të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe edukative, me mbështetjen e kompanisë “Al Trade”.
Procesi është udhëhequr nga desiminatorët, profesori Ilir Demaku dhe profesoresha Ermira Demiqi, të cilët kanë koordinuar punën me nxënësit përgjatë gjithë fazës së realizimit.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, drejtori i shkollës Naim Doberdolani, përfaqësuesi i kompanisë “Al Trade” Artan Ramaj, si dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës nga niveli qendror dhe dega në Drenas.
Gjatë këtij aktiviteti, u vlerësua rëndësia e projektit në zhvillimin e vlerave humane dhe vetëdijesimit të nxënësve, ndërsa u theksua bashkëpunimi ndërinstitucional si faktor kyç në realizimin e tij.
Përfaqësuesit e pranishëm shprehën mirënjohje për kontributin e të gjithë pjesëmarrësve, me theks të veçantë për kompaninë “Al Trade”, e cila u vlerësua për mbështetjen në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe për angazhimin në përgjegjësi sociale ndaj arsimit. /Telegrafi/


