Kryesia e LDK-së miraton marrëveshjen me LVV-në, mbështet Bekim Sejdiun për president
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike të arritur për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Në një deklaratë pas mbledhjes, LDK-ja ka bërë të ditur se vendimi është marrë në përputhje me autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë dhe procedurat e saj vendimmarrëse.
“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”, thuhet në njoftim.
Sipas LDK-së, marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e presidentit, por edhe me tejkalimin e krizës institucionale dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.
“Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional”, theksohet tutje.
Kryesia e LDK-së ka vlerësuar se Sejdiu i përmbush kriteret për të ushtruar detyrën e presidentit, duke përmendur përvojën e tij si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
“Profesor Bekim Sejdiu i përmbush këto kritere. Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës”, ka njoftuar LDK.
LDK-ja ka theksuar se kandidatura e Sejdiut, sipas saj, i shërben nevojës për një president që qëndron mbi ndarjet partiake dhe respekton Kushtetutën.
“Kryesia vlerëson se kandidatura e tij i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton me përpikëri Kushtetutën dhe përfaqëson Republikën me seriozitet brenda dhe jashtë vendit”, theksohet tutje në njoftim.
Në deklaratë, Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar që ta mbështesin vendimin e organeve të partisë gjatë procesit të votimit.
“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka theksuar LDK.
Në fund, LDK-ja ka thënë se do të vazhdojë të veprojë me unitet dhe përgjegjësi, duke vendosur interesin e Republikës mbi konsideratat tjera. /Telegrafi/


