Please enter at least 3 characters.

Kritikohet përdorimi i fëmijëve në fushatë zgjedhore

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe juristë, konsiderojnë që Lëvizja Vetëvendosje të dielën bëri shkelje, me faktin që nxori një fëmijë në një tubim zgjedhor. Mbi këtë bazë, një subjekt politik dorëzoi ankesë edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti: m’tha a bon me ardh me këndu një këngë. I thash “bën”’.

Kështu i dha leje këtij fëmijë, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti që të dal në skenë e të recitoj.

Pos përdorimit të saj si fëmijë në fushatë zgjedhore, edhe përmbajtja e asaj çka tha ishte problematike.

“Ju vraft Zoti, ju vraft Allahu”, “Albin baba”.

Sipas juristëve, Kurti e Vetëvendosje, vlerësohet që bënë shkelje të rregullores për zgjedhje, konkretisht nenit 4, i cili e mundëson pjesëmarrjen me disa kufizime për personat mbi 16 vjeç.

“Rregullativa ligjore ndalon në mënyrë eksplicite përdorimin e fëmijëve në fushatë. Prandaj, aktet e tilla janë të papranueshme”, ka thënë Ardian Bajraktari, Avokat.

Përdorimin e fëmijëve në fushatë, e dënoi edhe organizata për mbrojtjen e tyre, KOMF.

“Kemi bërë thirrje në radhë të parë subjekteve politike që të zbatojnë ligjin të konsiderojnë të drejtat e fëmijës dhe t’i lënë ata jashtë fushatave të tyre po ashtu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të gjithë mandatin që e ka pra për ta zbatuar atë mandat”, ka thënë Klevis Vaqari, Menaxhere e Projektit në KOMF.

Pikërisht për shkak të shkeljes që po konsiderohet se ka ndodhur, Vetëvendosje do mund të gjobitet, me disa mijëra euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Por, PZAP ende nuk e ka filluar trajtimin e ankesës në fjalë./Rtv Dukagjini/