Kravatat janë rikthyer në modë, por këtë herë po i veshin gratë
Dikur simbol i veshjes së rreptë zyrtare, kravata në vitin 2026 po kthehet në aksesor që i jep çdo kombinimi më shumë karakter, vetëbesim dhe stil
Moda e grave në vitin 2026 sjell një kthesë të papritur: kravatat po bëhen një aksesor i pashmangshëm, që çdo veshjeje i jep një shenjë autenticiteti, fuqie dhe karakteri.
Harrojeni për një çast gjithçka që keni menduar për veshjen “e rreptë” zyrtare dhe për rregullat e ngurta të një kohe tjetër. Diçka po ndryshon në rrugët e metropoleve botërore dhe fryma e këtij ndryshimi ka mbërritur edhe te ne më shpejt se sa pritej.
Deri dje, shumëkush u qëndronte besnik kombinimeve klasike, por pranvera e vitit 2026 ka sjellë një trend që për dekada është konsideruar pothuajse i rezervuar për gardërobën e burrave. Megjithatë, le ta pranojmë: a nuk kemi mësuar prej kohësh se gjithçka që ata mund ta veshin, gratë mund ta shndërrojnë në stil?
Edhe pse lidhja e parë që na vjen në mendje kur përmendet kravata është ende një burrë serioz me kostum, që nxiton për në takim, skena e modës ka vendosur ta lërë këtë imazh në të kaluarën.
Kravata nuk është më vetëm simbol i disiplinës. Këtë sezon, ajo është kthyer në simbol të lirisë, në atë detaj që bën dallimin mes një veshjeje të zakonshme dhe një paraqitjeje që tërheq vëmendjen.
Në një kohë kur veshjet e gjera janë bërë pjesë e përditshme e modës, kravata vjen si ekuilibër i përsosur: i jep strukturë veshjes, drejton shikimin dhe, kur kombinohet si duhet, e thekson bukur siluetën femërore, transmeton Telegrafi.
Si ta vishni pa u dukur sikur po shkoni në mbrëmje mature?
Çelësi në vitin 2026 është të mos duket sikur jeni munduar shumë. Influencuesja Sara Stasi ka dhënë një shembull të mirë se si mund të vishet kravata pa e kthyer në element tepër formal. Ajo nuk e trajton si pjesë të një kodi të rreptë zyrtar, por si një aksesor që mund të ketë të njëjtin efekt si një varëse e bukur apo një shall mëndafshi.
Ka shumë mënyra për ta përshtatur këtë trend me stilin tuaj personal.
Varianti i përditshëm: një këmishë e gjerë, pak e zbërthyer, xhinse me bel të lartë dhe një kravatë e lidhur lirshëm, sikur është vendosur në çastin e fundit.
Stili më i guximshëm: një jelek ose xhaketë lëkure mbi një kravatë të hollë, me ndonjë dizajn interesant.
Pamja njëngjyrëshe: e gjithë veshja në të njëjtën ngjyrë, ndërsa tekstura e kravatës, qoftë prej sateni apo e thurur, krijon lëvizjen dhe kontrastin e nevojshëm.
Pse pikërisht tani?
Moda gjithmonë pasqyron atë që ndodh në shoqëri. Sot, më shumë se kurrë, kufijtë mes “veshjes mashkullore” dhe “veshjes femërore” po zbehen. Kravata vjen si mesazh se një grua ndihet mirë me veten, nuk ka frikë të marrë elemente që dikur lidhej me autoritetin mashkullor dhe t’i kthejë në estetikë të pastër.
Nuk bëhet fjalë që gratë të duken si burra. Bëhet fjalë për të marrë më të mirën nga të dyja botët dhe për ta kthyer në stil personal.
Kur shihni kominimin e një fustan mëndafshi me një kravatë të frymëzuar nga garderoba mashkullore, kuptoni se rregullat në modë nuk janë aq të pathyeshme. Në fund, ekzistojnë vetëm ide të mira dhe ide të dobëta. Dhe kjo, sipas gjithë asaj që po shihet në modën e vitit 2026, duket se është ndër idetë fituese të sezonit.
Prandaj, para se të niseni herën tjetër për blerje, ndaluni pak te dollapi i partnerit, vëllait ose babait. Ndoshta aty fshihet aksesori juaj i ri i preferuar, ai detaj që mund ta shënojë stilin tuaj këtë vit. /Telegrafi/


