Kosova U21 ndalet me barazim pa gola nga Luksemburgu U21
Kosova U21 ka regjistruar një barazim pa gola 0-0 ndaj Luksemburgut U21 në ndeshjen miqësore të zhvilluar të shtunën pasdite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Kjo përballje ishte testi i dytë brenda pak ditësh për “Dardanët” e rinj, të cilët të mërkurën u mposhtën minimalisht nga Turqia U21 me rezultat 1-0.
Dy miqësoret u shfrytëzuan si pjesë e përgatitjeve dhe vlerësimeve të ekipit, me fokus te ndërtimi i formës, konsolidimi i grupit dhe dhënia e minutave për lojtarët në prag të sfidave zyrtare.
Këto ndeshje shërbejnë si parapërgatitje për tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Kampionatin Evropian, të cilat Kosova U21 do t’i zhvillojë gjatë vjeshtës.
Stafi teknik pritet ta përdorë këtë periudhë për të nxjerrë përfundime rreth gjendjes së skuadrës, formës së lojtarëve dhe elementeve që duhen përmirësuar para rikthimit të kualifikueseve.
Megjithatë, gjasat e Kosovës U21 për kualifikim janë të vogla, ndërsa synimi kryesor mbetet që ekipi të paraqitet sa më mirë në ndeshjet e mbetura dhe ta mbyllë ciklin kualifikues me rezultate pozitive dhe paraqitje bindëse./Telegrafi/


