Kosova në tetor luan miqësore jashtë vendit
Kështu thotë vetë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. “Ende nuk ka asgjë sa i përket kundërshtarit, por në Kosovë nuk do të luajmë qind për qind. Disa kundërshtarë që i kemi nuk janë atraktiv për ne”, tha Vokrri për Arenën.
Ai tregon se ka mundësi që Kosova të luajë jashtë vendit, por nëse nuk kanë kundërshtarë të denjshëm, e kanë edhe planin B. “Jemi duke biseduar me përzgjedhësin Albert Bunjaku që të luajmë jashtë vendit, ose të organizojmë një kamp”, shtoi ai.
Datat e lira të FIFA-s për tetor janë 6-14. Federata e Futbollit e Kosovës e ka pasur mundësinë që FIFA-n ta njoftojë para të mërkurës, për organizimin e ndonjë miqësoreje në Kosovë, bazuar në modalitetet e FIFA-s, për njoftimin e saj 21 ditë para ndeshjes.
Mirëpo, sipas Vokrrit, ky kusht nuk vlen edhe për ndeshjet që do të luhen jashtë vendit. Kosova në maj luajti në Zvicër kundër Senegalit, dhe ky vend mbetet si opsioni kryesor për luajtjen e takimit të ardhshëm, ose ose mbajtjes së kampit, për të cilin ishte folur edhe gjatë verës. /Telegrafi/


