Komuna e Mitrovicës përfiton mbi dy milionë euro për Banimin Social Adekuat
Komuna e Mitrovicës ka siguruar mbi 2 milionë euro për implementimin e Projektit të Banimit Social Adekuat, që synon ndërtimin e njësive të reja të banimit social, renovimin e objekteve ekzistuese dhe përmirësimin e kushteve për familjet në nevojë.
Drejtori për Planifikim dhe Urbanizëm, Ardian Kavaja, së bashku me udhëheqësen e Njësitit të Implementimit të Projektit, Sebahate Tahiri, pritën përfaqësuesit e Njësitit për Menaxhimin e Projektit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet e cenueshme dhe për zhvillimin e qëndrueshëm urban në Mitrovicën e Jugut”, tha Ardian Kavaja.
Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e përfitimit të projekteve shtesë, veçanërisht për rindërtimin dhe renovimin e njësive të banimit në ndërtesat e vjetra në zonën e Tunelit të Parë.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit e komunës realizuan një vizitë në terren për të parë nga afër objektet dhe parcelat përkatëse.
Komuna e Mitrovicës së Jugut falënderoi MMPHI-në për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e këtij projekti strategjik për komunitetin. /Telegrafi/


