Please enter at least 3 characters.

Komuna e Kamenicës diskuton me Bankën Botërore për projektet e energjisë nga dielli dhe era

Komuna e Kamenicës ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Grupit të Bankës Botërore, ku janë diskutuar projektet për gjenerimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, konkretisht nga dielli dhe era.

Në këtë takim, Drejtori i Urbanizmit, Uran Berisha, së bashku me Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Edon Dërmaku, dhe zyrtaren e kësaj drejtorie, Qëndresa Kastrati, kanë pritur përfaqësuesit e Bankës Botërore, Kerstin Schopohl dhe Alban Imeri.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i rolit të Komunës së Kamenicës në procedurat për dhënien e lejeve komunale dhe ndarjen e tokës për realizimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme. Në fokus të diskutimeve ishin edhe planet e zhvillimit komunal dhe mundësitë për vënien në dispozicion të parcelave komunale për investitorët potencialë.

Drejtori i Urbanizmit, Uran Berisha, ka prezantuar Planin Zhvillimor të Komunës, duke theksuar kapacitetet ekzistuese për shfrytëzimin e pronave komunale në funksion të projekteve energjetike. Ai ka bërë të ditur se Komuna e Kamenicës ka potencial të konsiderueshëm për shfrytëzimin e energjisë së erës dhe asaj diellore.

Ndërkohë, Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Edon Dërmaku, ka vënë në pah rëndësinë e projekteve për gjenerimin e energjisë elektrike, duke përmendur edhe interesimin e disa investitorëve potencialë që kanë dorëzuar kërkesa për zhvillimin e projekteve solare. Sipas tij, këto projekte duhet të zbatohen në përputhje me Planin Zhvillimor Komunal.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e Grupit të Bankës Botërore, Kerstin Schopohl, ka theksuar rëndësinë e vënies në dispozicion të parcelave për investitorët privatë, me qëllim zhvillimin e projekteve energjetike. Ajo ka theksuar se krijimi i mundësive për dhënien e pronave edhe jashtë parcelave të përfshira në Planin Zhvillimor do të mundësonte përfitime për komunën dhe qytetarët nga projektet e gjenerimit të energjisë.

Në përfundim të takimit, palët janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe diskutimet për hapat e mëtejmë, me synimin e shfrytëzimit të projekteve energjetike në dobi të qytetarëve të Komunës së Kamenicës. /Telegrafi/