Please enter at least 3 characters.

Komuna e Gjilanit hap thirrjen për subvencionimin e lehonave

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se do të mbështesë financiarisht nënat lehona për fëmijët e lindur gjatë vitit 2026, duke hapur thirrjen publike për subvencionim.

Sipas njoftimit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me vendim të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka hapur thirrjen për subvencionimin e lehonave për vitin 2026.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, ka ftuar të gjitha lehonat që plotësojnë kriteret e përcaktuara të aplikojnë, duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm sipas kushteve të shpallura.

“Aplikimi bëhet në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm është përcaktuar në vendimin sipas shpalljes publike”, thuhet në njoftim.

Kadriu ka bërë të ditur se mbështetja financiare do të jetë 100 euro për çdo lindje gjatë këtij viti.

“Kjo po bëhet me qëllim të mbështetjes së nënave lehona me nga 100 euro për çdo lindje të fëmijëve për vitin 2026”, ka thënë ajo.

Sipas saj, subvencionimi vlen për fëmijët e lindur nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa është theksuar se mbështetja nuk vlen për fëmijët e lindur jashtë Kosovës. /Telegrafi/