Kina të lejojë dy fëmijë për një çift?
Një rregull i imponuar nga shteti që në vitet e tetëdhjeta, ai i kufizimit të një fëmije për çdo familje, ka ndihmuar vendin më të populluar në botë që të vendosë nën kontroll problemin e mbipopullimit, por disa dekada më pas, tashmë Kina po përballet me problemin e plakjes së popullsisë – transmeton Top-Channel.
Si pasojë e kësaj politike dhe përmirësimit të standardit të jetesës, popullsia kineze ka prej strukturave demografike më të çrregulluara në botë, ndikuar nga fakti se përpara se të vendosej ligji, ishte e zakonshme që në vend të kishte familje me shumë fëmijë.
Sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, përballë raportit kritik, qeveria kineze pritet të lejojë nga dy fëmijë për familje në disa zona duke nisur nga viti i ardhshëm, për të liberalizuar politikën e kufizimit të lindjes në dy fëmijë plotësisht për të gjithë vendin në vitin 2015. Në bazë të rekomandimit, kufizimet për pasjen e fëmijëve mund të hiqen tërësisht brenda vitit 2020.
Aktualisht, një çift në Kinë lejohet të ketë vetëm një fëmijë ligjërisht, ndërsa për të dytin duhet të paguajnë taksa të rënda. Nëse një nënë ngel shtatzënë për herë të tretë, ajo detyrohet të abortojë forcërisht, ndërsa përjashtime bëhen në rastin e binjakëve, të cilët me ligj trajtohen si një lindje e vetme. /Telegrafi/


