Jose Mourinho rikthehet te Real Madridi, nënshkruan edhe kontratë trivjeçare
Jose Mourinho do të jetë trajneri i ri i Real Madridit, duke shënuar rikthimin e tij në “Santiago Bernabeu” pas më shumë se një dekade.
Sipas “The Athletic”, 63-vjeçari tashmë ka nënshkruar kontratën me gjigantët spanjollë, e cila do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029, ndërsa prezantimi pritet të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në klub.
Portugezi do ta zëvendësojë Alvaro Arbeloan, i cili shërbeu si trajner i përkohshëm pas largimit të Xabi Alonsos në janar, por nuk arriti ta shpëtojë sezonin e Realit, që u mbyll pa asnjë trofe.
Largim i lehtë nga Benfica
Mourinho së fundmi ishte në krye të Benficës, pas shkarkimit nga Fenerbahce. Edhe pse kontrata e tij në Lisbonë ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027, një klauzolë lirimi e raportuar në vlerë rreth tre milionë euro e ka bërë transferimin drejt Madridit relativisht të thjeshtë.
Negociatat me Realin u konfirmuan të premten edhe nga eksperti i transferimeve, David Ornstein, i cili raportoi se bisedimet kanë përfunduar me sukses. Sipas raportit, Mourinho ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, ndërsa paga e tij vjetore thuhet se do të jetë rreth 12 milionë euro bruto.
🚨 Jose Mourinho has signed contract to become Real Madrid head coach. 63yo leaving Benfica for 2nd spell in charge of #RMFC after putting pen to paper last week on 3yr deal. Set to be announced post presidential election. W/ @MarioCortegana@TheAthleticFChttps://t.co/jK6Q5cF7eU
— David Ornstein (@David_Ornstein) May 29, 2026
Mandati i dytë në Madrid
Ky do të jetë mandati i dytë i Mourinhos te Real Madridi. Ai e drejtoi klubin nga viti 2010 deri në 2013, ku në 178 ndeshje zyrtare regjistroi mesatarisht 2.3 pikë për ndeshje dhe në sezonin e parë 2010/11 fitoi titullin e La Ligas. Megjithatë, trofeu i Ligës së Kampionëve mbeti objektivi i parealizuar.
Reali po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe të brendshme. Xabi Alonso ishte sjellë verën e kaluar si “shpresë e madhe”, por nuk arriti t’i bindë yjet e ekipit si Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe.
Situata u tensionua edhe më shumë pas largimit të tij. Një peticion online, i nënshkruar nga disa milionë persona, po kërkon largimin e Mbappes, ndërsa në fillim të majit u raportua edhe për një përplasje serioze mes Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouamenit. Uruguaiani madje thuhet se u trajtua në emergjencë pasi u godit nga bashkëlojtari i tij.
Në të njëjtën kohë, presidenti Florentino Perez po përballet me kritika të shumta. 79-vjeçari ka hedhur poshtë kategorikisht mundësinë e dorëheqjes dhe do të kandidojë sërish në zgjedhjet e 7 qershorit, duke synuar mandatin e tij të shtatë në krye të klubit./Telegrafi/


