Please enter at least 3 characters.

Interi i kërkon një yll Atleticos për shkëmbim me Frattesin, por madrilenët e refuzojnë propozimin

Atletico Madrid nuk e ka harruar Davide Frattesin, edhe pse Inter ka hedhur poshtë mundësinë për përfshirjen e një lojtari në marrëveshje, klubi madrilen ende po e konsideron mesfushorin italian si një objektiv për sezonin 2025/26.

Klubi nga La Liga është duke kaluar një merkato ambicioze dhe dinamike. Deri tani janë zyrtarizuar ose pritet të zyrtarizohen së shpejti tre përforcime kryesore: Alex Baena, Cardoso dhe Matteo Ruggeri. Këtyre u bashkohen edhe blerjet përfundimtare të Clement Lenglet dhe Juan Musso, pas huazimeve të suksesshme sezonin e kaluar.

Këto afrime tregojnë qartë vendosmërinë e trajnerit Diego Simeone për të përforcuar zonat kyçe të ekipit. Baena pritet të sjellë kreativitet në mesfushë, Cardoso do të ndihmojë në stabilitetin defanziv, ndërsa Ruggeri shton shkathtësi në krahun e majtë të mbrojtjes.

Sidoqoftë, Atletico nuk është ndalur këtu. Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, madrilenët kanë rihapur interesimin për Frattesin, mesfushorin e Inter që sezonin e kaluar ka zhvilluar 47 ndeshje, duke realizuar shtatë gola dhe pesë asistime.

Megjithatë, bisedimet nuk kanë qenë të lehta. Inter ka kërkuar që në marrëveshje të përfshihet Giuliano Simeone, djali i trajnerit të Atleticos. Por kjo kërkesë është refuzuar menjëherë nga klubi spanjoll.

Giuliano Simeone ka pasur një sezon mjaft pozitiv, me 50 paraqitje, pesë gola dhe nëntë asistime , ndaj drejtuesit e Atletico Madrid besojnë se ai ka një të ardhme të ndritur dhe nuk e konsiderojnë të negociueshëm.

Bisedimet mund të vazhdojnë mbi bazën e një transferimi të pastër financiar. Për momentin, Frattesi mbetet një dëshirë e qartë e Atleticos për të përforcuar mesfushën në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/