HMD prezanton katër telefona të rinj Nokia 4G me inteligjencë artificiale
Kompania HMD Global, e cila menaxhon markën Nokia për telefonat mobilë, ka prezantuar katër modele të reja të telefonave klasikë me tastierë, por me një veçori moderne: asistent të inteligjencës artificiale.
Modelet e reja janë Nokia 200 4G, Nokia 210 4G, Nokia 215 4G (edicion i dytë) dhe Nokia 235 4G (edicion i dytë). Pajisjet ruajnë dizajnin tradicional të telefonave Nokia me tastierë fizike, ekrane të vogla dhe bateri me jetëgjatësi, por tani janë pajisur me një buton të veçantë për aktivizimin e asistentit me inteligjencë artificiale.
Asistenti i integruar, i bazuar në teknologjinë Sikey AI, mund të kryejë komanda të thjeshta me zë, si ndezja e dritës së telefonit, hapja e kamerës, vendosja e alarmeve dhe kujtesave, kryerja e telefonatave apo përgjigjja në pyetje të thjeshta.
Telefonat mbështesin rrjetin 4G, kanë sistemin operativ S30+, bateri 1.450 mAh, lidhje Bluetooth, portë USB-C për karikim dhe hyrje tradicionale 3.5 mm për kufje. Disa modele përfshijnë edhe radio FM dhe kamera bazike.
Përveç funksioneve të reja me AI, HMD ka ruajtur karakteristikat që kanë bërë të famshëm telefonat klasikë Nokia: thjeshtësinë, qëndrueshmërinë dhe autonominë e gjatë të baterisë. Pajisjet synojnë përdoruesit që kërkojnë një telefon të thjeshtë, por me disa mundësi moderne.
Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk do të jetë falas përgjithmonë. Sipas të dhënave të publikuara, shërbimi AI do të jetë pa pagesë për 180 ditët e para, ndërsa më pas mund të kërkojë abonim.
Me këto modele, Nokia po përpiqet të rikthejë interesin për telefonat me tastierë në një kohë kur tregu dominohet nga telefonat inteligjentë, duke kombinuar nostalgjinë e pajisjeve të vjetra me teknologjinë e re të inteligjencës artificiale. /Telegrafi/


