Please enter at least 3 characters.

Hendeku tregtar thellohet, Kosova me mbi 615 milionë euro deficit vetëm në korrik

Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti, vendi importoi mallra në vlerë prej mbi 720 milionë euro, ndërsa eksporti arriti vetëm 104 milionë euro, duke e çuar deficitin tregtar në mbi 615 milionë euro. Pavarësisht rritjes së eksporteve në korrik, hendeku tregtar i Kosovës vazhdon të thellohet.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 6,8 % në muajin korrik 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 615,7 milion euro, krahasuar me deficitin prej 576,4 milion euro në vitin 2025. Ndërkaq, eksporti mbulon importin me 14.5 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin korrik 2026 kishte vlerën 104,8 milion euro, ndërsa importi 720,5 milion euro, që është një rritje prej 25,0% për eksport, si dhe një rritje prej 9,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025”, thuhet në raportin e ASK-së.

ASK tha se sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,5% e përbëjnë produktet minerale, 7,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,7% e përbëjnë produktet minerale, 13,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,5% e përbëjnë mjetet e transportit, 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 31,5 milion Euro, ose rreth 30,1 % e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 9,6 %. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 9,6 %, Italia 3,1%, Holanda 2,9 %, etj.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 303,4 milion Euro, ose 42,1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7,2 %. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,8 %), Italia (5,9 %), Polonia (4,0 %), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

ASK njofton se eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 50,3 milion Euro, ose 48,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27,4 %. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (16,9%), Shqipëria (16,7%), Serbia (6,7%), Mali i Zi (5,1%), etj.

Ndërkaq, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 88,8 milion Euro, ose 12,3 % të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11,5 %. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,9%), Shqipëria (3,3%), Serbia (3,0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 23,0 milion Euro, ose 21,9 %. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (7,8%) dhe Turqia (4,3%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 328,2 milion Euro, ose 45,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,5%) dhe Kina (13,3%). /KosovaPres