Haradinaj mbështet kandidimin e Burim Ramadanit për deputet: Kosova ka nevojë për të
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje të plotë për kandidimin e Burim Ramadanit për deputet, duke e vlerësuar atë si një profesionist të përgatitur dhe me integritet të lartë.
Në një njoftim publik, Haradinaj e ka cilësuar Ramadani “mendje të kthjellët që punon për sigurinë e shtetit” dhe ndër njerëzit më të përgjegjshëm që ai njeh.
Sipas tij, përvoja, aftësitë profesionale dhe besnikëria ndaj shtetit e bëjnë Ramadanin një vlerë të veçantë për Kosovën.
“E mbështes plotësisht kandidimin e tij për deputet, sepse besoj se zëri dhe veprimi i tij racional, kritik dhe i matur do t’i shërbejë shtetit. Kosova ka nevojë për të, edhe ne kemi nevojë për të”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai gjithashtu u shpreh i kënaqur që Ramadani ka pranuar kërkesën e AAK-së për të kandiduar, duke shpresuar se bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë në Parlament. /Telegrafi/


