Haradinaj - Kurtit: Rruga është e vetmja rrugë për ta rikthyer Kosovën, shtatori po vjen, Albin
Anëtari i Aleancës, Daut Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij për organizimin e protestave në rrugë kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sipas tij “rruga është e vetmja rrugë” për ta rikthyer Kosovën në atë që e cilëson si “binarët e shtetit demokratik”.
Ai ka renditur një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti, duke përmendur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qasjen ndaj Serbisë, sektorin e energjisë, projektet amerikane, ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe trajtimin e qytetarëve.
“E kam thënë dhe po e përsëris: rruga është e vetmja rrugë për ta rikthyer Kosovën në binarët e shtetit demokratik”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë shtet ku “aleati historik, Amerika, respektohet”, ndërsa Serbia “sanksionohet me 100 për qind”.
Haradinaj ka kritikuar edhe politikat energjetike, duke pretenduar se energjia blihet në Serbi me mbi një miliard euro, ndërsa ka kërkuar që prodhimi i energjisë të bëhet në Kosovë.
Në listën e tij të kritikave, ai ka përfshirë edhe projektet amerikane, trajtimin e prodhuesve vendorë, kushtet e punëtorëve, policinë dhe ushtrinë, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe emigrimin e familjeve kosovare.
“Ku punohet e nuk flitet. Ku vlera respektohet e nuk anatemohet. Ku prodhuesi i Kosovës e ka shtetin partner e jo armik. Ku tregu i Kosovës është për kosovarët. Ku punëtorit i respektohet puna”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka kërkuar gjithashtu që qytetarëve t’u thuhet e vërteta dhe ka ngritur pretendime lidhur me regjistrimin e serbëve në Kosovë.


