Hapet aplikimi për pagesat direkte për fermerët, afati deri më 3 shtator
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur afatin për aplikim për Pagesa Direkte për disa kategori të aktiviteteve bujqësore.
Thirrja vlen për fermerët në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa aplikimi mund të bëhet nga 3 gushti deri më 3 shtator 2026, në orën 16:00.
Sipas njoftimit të MBPZhR-së, Pagesat Direkte përfshijnë këto aktivitete:
- qumështin, sipas kategorive të cilësisë;
- therjet e raportuara të gjedhit;
- viçat për majmëri;
- zogjtë për majmëri (brojlerë);
- akuakulturën.
Ministria ka bërë të ditur se kriteret dhe kushtet që duhet t’i plotësojnë aplikuesit janë të publikuara në uebfaqet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Fermerët e interesuar duhet ta respektojnë afatin e përcaktuar për aplikim, i cili përfundon më 3 shtator në orën 16:00. /Telegrafi/


