Please enter at least 3 characters.

Hajredini: Pyjet e Kosovës janë pasuri kombëtare, por po rrezikohen nga prerjet ilegale dhe zjarret – duhet investim, teknologji dhe përfshirje e komunitetit

Ergin Hajredini nga FAO
Foto: Ridvan Slivova

Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i dytë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.

Në këtë episod të veçantë, eksperti i pylltarisë nga FAO Ergin Hajredini ka shpalosur sfidat dhe prioritetet e menaxhimit të pyjeve në Kosovë, një sektor që mbetet shtyllë e biodiversitetit, ekonomisë rurale dhe mbrojtjes nga ndryshimet klimatike.

Hajredini thekson se pyjet mbulojnë rreth 46% të territorit të vendit dhe roli i tyre shkon shumë përtej prodhimit të drurit.

“Pyjet nuk ofrojnë vetëm drurin. Ato janë burimi kryesor i biodiversitetit, filtrimit të ujit dhe sekuestrimit të karbonit. Janë thelbësore për shëndetin e qytetarëve dhe të ekosistemit,” thotë ai shkruan Telegrafi.

Sipas Hajredinit, prerjet ilegale mbeten kërcënimi më i madh për resurset pyjore, me dëme që llogariten mbi 1.5 milion metër kub drurë në vit.

“Prerjet ilegale janë kërcënimi kryesor i pyjeve, me pastaj vijnë zjarret, të cilat me ndryshimet klimatike po shfaqen më shpesh dhe janë shumë më shkatërruese,” ka deklaruar Hajredini në Telegrafi.com

- YouTubeyoutu.be

Sipas tij FAO ka mbështetur Agjencionin Pyjor të Kosovës me përmirësimin e metodave të planifikimit të menaxhimit me pyje, trajnime profesionale nga specialistë të vendeve të zhvilluara, zhvillimin e teknologjive moderne të menaxhimit dhe monitorimit të pyjeve shoqëruar me pajisje digjitale si dronë, GPS profesionalë dhe kamera kurth për monitorim të saktë të gjendjes së pyjeve.

“Këto mjete na japin pasqyrë reale të situatës në terren dhe ndihmojnë në identifikimin e prerjeve ilegale dhe zjarreve në kohë. Banorët që jetojnë pranë pyjeve janë të parët që preken nga pasojat e degradimit te pyjeve. Prandaj nevojitet komunikim i vazhdueshëm dhe përfshirje e tyre në te gjitha proceset duke i adresuar nevojat e komunitetit,” thotë ai, duke theksuar se fushatat e ndërgjegjësimit dhe kampet pyjore kanë rritur dukshëm vetëdijen, sidomos te të rinjtë”, ka potencuar ai.

Sipas Hajredinit një nga arritjet më të rëndësishme të programit është strategjia e re e sektorit të pylltarisë, përditësimi i metodologjisë së hartimit të planeve menaxhuese bazuar në aspekte shumëqëllimore dhe në funksion, realizimi i ciklit të tretë të Inventarizimit Kombëtar të pyjeve, ngritja e kapaciteteve për luftimin e sëmundjeve në pyje, si dhe funksionalizimi i Qendrës së Trajnimit në Blinajë, që tashmë shërben si hapësira e parë në vend për edukim profesional në fushën e pyjeve.

“Qendra në Blinajë ofron kushte ideale për trajnim praktik. Mund ta përdorin institucionet, studentët dhe komuniteti – është investim për të ardhmen,” thekson Hajredini.

Foto: Ridvan Slivova

Sipas tij, planet e reja të menaxhimit shumëqëllimor, të harmonizuara me kërkesat e BE-së, hapin rrugën për certifikimin e pyjeve, një proces që do të mundësojë eksport të sigurt të drurit dhe produkteve të pyjeve.

“Metodologjia e re na mundëson të fillojmë certifikimin e pyjeve dhe të rrisim potencialin ekonomik të qëndrueshëm te sektorit,” shpjegon ai.

Potenciali ekonomik, sipas tij, është i konsiderueshëm por kërkon ndryshim qasjeje ne menaxhim.

“Duhet më shumë investim ne sektor, më shumë vëmendje institucionale dhe më shumë ekspertë te pyjeve ne Agjencinë Pyjore të Kosovës për realizimin e aktiviteteve profesionale në terren. Nuk mjafton administrata, na duhen profesionistë që punojnë drejtpërdrejt me pyjet,” thekson ai.

Në fund, ai apelon se rruga e nisur duhet të vazhdojë.

“Çdo proces i madh ka një fillim. Me investime dhe koordinim të duhur, Kosova mund të ndërtojë një sektor pyjor modern dhe të qëndrueshëm”, ka shtuar ai.

Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO).Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.