Grevë në doganat greke, pezullohet përkohësisht lëvizja e automjeteve në katër pika kufitare me Shqipërinë
Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit ka njoftuar se të dielën do të ketë pezullim të përkohshëm të lëvizjes së automjeteve në disa pika kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, për shkak të një greve të paralajmëruar nga punonjësit e doganës greke.
Sipas njoftimit, informacioni është përcjellë nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, e cila ka bërë të ditur se greva do të zhvillohet në intervale të ndryshme kohore, në varësi të pikës kufitare.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe Tre Urat në Përmet, qarkullimi i automjeteve do të pezullohet nga ora 07:00 deri në 11:00, sipas orës shqiptare.
Ndërkaq, në pikat kufitare Kapshticë në Korçë dhe Qafë Botë në Sarandë, pezullimi do të zgjasë nga ora 05:00 deri në 09:00.
Autoritetet bëjnë të ditur se gjatë këtyre intervaleve nuk do të lejohet kalimi i automjeteve në pikat kufitare të përmendura.
Megjithatë, sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, gjatë kohës së grevës do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, përfshirë ambulancat.
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Greqisë të marrin parasysh këto kufizime dhe të organizojnë lëvizjet e tyre në përputhje me oraret e njoftuara, për të shmangur pritjet dhe vonesat në pikat kufitare./A2CNN.


