Gjysmëfinalet ndezin Kupën e Kosovës: Sot luhen ndeshjet e para
Sot (e mërkurë), 8 prill, starton faza më vendimtare e Kupës së Kosovës, aty ku gabimet nuk falen dhe çdo minutë peshon sa një sezon i tërë. Në program janë dy gjysmëfinalet e para, me përballje që premtojnë rivalitet të fortë dhe emocione deri në fund.
Në duelin e parë në Suharekë, Ballkani përballet me Dukagjinin, në një sfidë ku favoritët kërkojnë të konfirmojnë forcën, ndërsa kundërshtari synon surprizën.
Ballkani vjen me përvojë dhe cilësi, por Dukagjini ka treguar se di të godasë në momentet e duhura duke dashur ta shfrytëzoj këtë mundësi për një vend në garat evropiane.
Në anën tjetër, Llapi pret Ferizajn në “Zahir Pajaziti”, në një përballje që pritet të jetë e hapur dhe e luftuar.
Llapi synon të shfrytëzojë terrenin vendas, ndërsa Ferizaj vjen pa presion, por me uri për të bërë histori në Kupën e Kosovës.
Ndeshjet kthyese gjysmëfinale janë paraparë të zhvillohen pas dy javësh, më 22 prill. /Telegrafi/


