Gjilani mbulon edhe këtë vit shpenzimet e ekskursionit për maturantët
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se edhe këtë vit Komuna do të mbulojë të gjitha shpenzimet për ekskursionin e maturantëve, duke e ofruar atë falas për nxënësit e shkollave të mesme.
Njoftimi është bërë pas një takimi që Hyseni ka zhvilluar me maturantët e qytetit, ku është diskutuar për rrugëtimin e tyre arsimor dhe planet institucionale për mbështetjen e rinisë.
“Edhe këtë vit, ekskursioni për maturantët e Gjilanit është falas”, ka deklaruar Hyseni.
Ai ka theksuar se gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, ku të pranishëm ishin edhe drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, si dhe profesorë të komunës, maturantët janë njoftuar për vendimin që Komuna të mbulojë koston e ekskursionit në Shqipëri.
“Komuna do të mbulojë koston e shpenzimeve për ekskursionin në Shqipëri”, ka shtuar ai.
Sipas tij, ky vendim është vazhdimësi e përkushtimit institucional për mbështetjen e nxënësve dhe familjeve të tyre, në mënyrë që asnjë maturant të mos mbetet pa e përjetuar këtë aktivitet për shkak të pamundësive financiare.
“Ky vendim vjen si vazhdimësi e zotimit tonë për t'i qëndruar pranë nxënësve dhe familjeve të tyre, duke u siguruar që asnjë maturant të mos mbetet pa e përjetuar këtë rrugëtim të rëndësishëm për shkak të kostove financiare”, ka theksuar Hyseni.
Në fund, ai ka ritheksuar se arsimi dhe rinia mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisjes lokale, duke u uruar maturantëve suksese në përgatitjet e tyre. /Telegrafi/


