Please enter at least 3 characters.

Gjiganti evropian po monitoron performancat e Michael Olises në Kupën e Botës

Paris Saint-Germain po ndjek me vëmendje paraqitjet e Michael Olise në Kupën e Botës 2026, raportojnë mediat gjermane.

Sipas Kicker, trajneri i kampionëve francezë, Luis Enrique, është duke vlerësuar nga afër performancat e sulmuesit të Bayern Munichut, teksa klubi po shqyrton mundësinë e një transferimi të madh gjatë kësaj vere.

Raporti thekson se Enrique po analizon veçanërisht bashkëpunimin e Olise me yjet e PSG-së në kombëtaren franceze, Ousmane Dembele dhe Desire Doue, gjë që mund të ndikojë në planet e afatit kalimtar të klubit parisien.

24-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Francës në këtë Botëror, duke shkëlqyer në rolin e numrit 10.

Ai ka regjistruar katër asistime në vetëm dy ndeshje dhe ka luajtur rol kyç në sukseset e “Les Bleus”.

Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm.

Për ta bindur klubin bavarez të shesë francezin, PSG do të duhej të paraqiste një ofertë rekord.

Në garë për Olisen ishte përfolur edhe Real Madridi, por klubi spanjoll së fundmi ka bërë të ditur se nuk planifikon të lëvizë për lojtarin gjatë kësaj vere.

Sipas raportit, vetë Olise do të preferonte një transferim te gjiganti madrilen nëse do të largohej nga Bayerni. /Telegrafi/