Please enter at least 3 characters.

Gjashtë traktorë me dru pa dokumentacion konfiskohen në Ferizaj

Policia e Ferizajt, në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe Inspektoratin e Pyjeve, ka zhvilluar një aksion të përbashkët për kontrollin e transportit të masës drusore.

Sipas komunikatës së Policisë Rajonale të Ferizajt, aktiviteti është zhvilluar më 23 gusht, duke filluar nga ora 08:00, në kuadër të patrullimit të përbashkët mobil “APK-Polici-Inspektorati i Pyjeve”.

Gjatë kontrolleve në tregun javor në fshatin Dardani të Ferizajt, janë identifikuar gjashtë mjete bujqësore, traktorë me rimorkio, të cilat transportonin masë drusore pa dokumentacionin përkatës.

Me asistimin e zyrtarëve policorë, mjetet janë dërguar në Agjencinë e Pyjeve në Ferizaj, ku është bërë matja dhe pranimi i masës drusore të konfiskuar.

Ndërkohë, zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pyjeve kanë përpiluar procesverbalet përkatëse të inspektimit dhe janë angazhuar për procedurat e mëtejshme.

Policia Rajonale e Ferizajt ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet përkatëse me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprimtarive të kundërligjshme, përfshirë prerjen dhe keqpërdorimin e pyjeve. /Telegrafi/