Please enter at least 3 characters.

Fundjavë e nxehtë, në disa zona mundësi për erëra dhe reshje

Foto: Arkiv

Instituti Hidrometeorologjik ka bërë të ditur se në fundjavë do të mbajë mot me diell dhe nxehtë.

IHK njofton se e shtuna do të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë. Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, në disa zona malore dhe lokalisht edhe në ultësira, pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat mund të shoqërohen me reshje afatshkurtra shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra të përforcuara në zonat ku paraqiten.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12–16 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 29 deri në 34 gradë.

Era do të fryjë nga verilindja, e lehtë deri mesatare, me shpejtësi 1–9 m/s, ndërsa në afërsi të proceseve konvektive mund të ketë intensifikime të përkohshme.

Edhe për të dielën parashikohet mot kryesisht me diell dhe me temperatura të larta.

Pasdite, në zona të izoluara pritet zhvillim i vranësirave, të cilat lokalisht mund të sjellin reshje shiu dhe stuhi afatshkurtra.

Në zonat e prekura nga reshjet pritet ulje e përkohshme e temperaturës.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13–18 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 29 deri në 34 gradë.

Era nga verilindja, e lehtë deri mesatare, me shpejtësi 1–6 m/s, ndërsa gjatë stuhive mund të ketë hovë të përkohshme më të fuqishme.

IHK njofton se kushtet biometeorologjike vazhdojnë të jenë të pafavorshme për shkak të temperaturave të larta dhe indeksit të lartë të rrezatimit UV.

Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët duhet të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Ndërkaq, sa i përket kushtet agrometeorologjike, mungesa e reshjeve të shpërndara në mënyrë uniforme do të vazhdojë të favorizojë deficitin e lagështisë në shtresën sipërfaqësore të tokës.

Reshjet lokale nuk pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e bilancit ujor për kulturat bujqësore.

Fermerët këshillohen të vazhdojnë ujitjen sipas nevojave të kulturave dhe të planifikojnë punimet agroteknike jashtë intervalit të temperaturave maksimale. /Telegrafi/