Fund parullës “rroga e vogël, fitimi i madh”, Kurti flet për miratimin e Projektligjit për Byronë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin në shqyrtim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend.
Kurti theksoi se funksionalizimi i kësaj byroje është i domosdoshëm dhe kërkon miratimin e ligjit edhe në lexim të dytë në Kuvend.
“Miratimi në shqyrtim të parë i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,padyshim që përbën lajm të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Që Byroja të jetësohet dhe të nisë punën, është e domosdoshme që ky ligj të miratohet edhe në lexim të dytë”, deklaroi Kurti.
Ai pranoi se Projektligji ka hasur në kundërshtime të mëdha, përfshirë edhe ankesa në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por nënvizoi se Qeveria nuk do të ndalet në rrugën e saj.
“E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjella si ankesa në Gjykatën Kushtetuese. Vazhdojnë të jenë ende të mëdha, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se themelimi i kësaj byroje do të shënojë fundin e praktikave të paligjshme të pasurimit.
“Do ta jetësojmë këtë zotim, Byroja do të bëhet sepse me të përfundimisht merr fund ajo parolla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as legjitime, sepse ajo kurrë nuk është fituar”, përfundoi Kurti.
Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në parim të premten e kalaur. Për të kanë votuar 81 deputetë, por vërejte për përmbajtjen e tij kanë dhënë deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së. /Telegrafi/


