Please enter at least 3 characters.

FSK dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë trajnohen për operacione të përbashkëta kërkim-shpëtimi

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) kanë zhvilluar një trajnim të përbashkët në fushën e kërkim-shpëtimit urban, në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.

Trajnimi “Kërkim-Shpëtim Urban Bazik dhe i Avancuar” është realizuar në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare të FSK-së, me pjesëmarrjen e ushtarakëve nga Kosova dhe Shqipëria.

Sipas njoftimit, gjatë trajnimit janë trajtuar tema që lidhen me përgatitjen dhe aftësimin e kursantëve për reagim në raste katastrofash natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njerëzor.

Pjesëmarrësit kanë marrë njohuri dhe aftësi praktike në planifikimin dhe realizimin e detyrave individuale si kërkues-shpëtues në mjedise urbane, punën ekipore gjatë operacioneve të shpëtimit, përdorimin e pajisjeve adekuate, aplikimin e teknikave të imobilizimit, si dhe ofrimin e ndihmës së parë në situata emergjente.

“Ky trajnim është vazhdimësi e bashkëpunimeve të rëndësishme drejt rritjes së kapaciteteve për reagim në situata emergjente urbane dhe forcon ndërveprimin ndërmjet dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.

Ky aktivitet konsiderohet një tjetër hap në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë, me synim rritjen e gatishmërisë dhe koordinimit për përballimin e situatave emergjente dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit. /Telegrafi/