Fituesi i Eurovision 2014, Conchita Wurst, rikthehet në vëmendje me pamje të re
Conchita Wurst, fituesi i Eurovision 2014 me këngën “Rise Like a Phoenix”, është rikthyer sërish në vëmendjen e publikut me një pamje krejtësisht të ndryshuar nga ajo që e bëri të famshme në skenën evropiane.
Artisti austriak, emri i vërtetë i të cilit është Thomas Neuwirth, u bë ikonë botërore pasi fitoi Festivalin e Këngës në Eurovision në Kopenhagë.
Paraqitja e tij me kombinimin e elegancës femërore dhe mjekrës karakteristike u kthye në një simbol të lirisë së shprehjes dhe diversitetit.
Pas fitores, Conchita u shndërrua në një figurë ndërkombëtare, duke performuar në evente të rëndësishme, përfshirë edhe para liderëve evropianë dhe në Parlamentin Evropian, ku mesazhet e saj për pranimin dhe tolerancën morën jehonë të madhe.
Megjithatë, suksesi i saj u shoqërua edhe me polemika, sidomos në disa vende të Evropës Lindore ku pati thirrje për bojkot, për shkak të mesazheve që disa grupe i konsideronin të debatueshme për Eurovisionin.
Gjatë viteve, Conchita ka ndryshuar stilin e saj muzikor, duke u orientuar drejt popit dhe muzikës elektronike, ndërsa ka qenë aktive edhe në fushën e modës dhe aktivizmit social, duke mbetur një nga figurat më të diskutueshme dhe njëkohësisht më të njohura të Eurovisionit. /Telegrafi/


