“Fiton ose largohesh”, Thierry Henry komenton shkarkimin e Xabi Alonsos dhe shpjegon arsyen pse Reali nuk ka durim
Thierry Henry ka deklaruar se shkarkimi i shpejtë i Xabi Alonsos nga Real Madridi përputhet plotësisht me kulturën e ashpër të klubit, edhe pse ai beson se trajnerëve duhet t’u jepet më shumë kohë për të ndërtuar ekipin.
Legjenda franceze theksoi se në “Santiago Bernabeu” nuk ka vend për durim të tepërt kur gjërat nuk funksionojnë.
“Real Madridi nuk ngurron të heqë qafe një trajner nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet. Ata kanë një mënyrë të caktuar se si i trajtojnë situatat në Madrid dhe kjo nuk do të ndryshojë”.
Henry bëri edhe dallimin mes të qenit trajner dhe menaxher në klubet elitare, duke theksuar presionin ekstrem që ekziston në nivelet më të larta.
“Kur je në një klub si Real Madridi apo Barcelona, gjykohesh nga rezultatet dhe nga mënyra se si luan. Aty respektohet fitorja dhe, fatkeqësisht, kur je trajner, nëse nuk fiton, atëherë je gabim”.
“Nga zhurmat që po dëgjojmë, disa nga lojtarët nuk ishin të kënaqur. Nuk po them se Xabi Alonso kishte gabim, por kur humb dhomat e zhveshjes, je në disavantazh të madh dhe gjithçka bëhet shumë e vështirë”.
Ai shtoi se në klube të tilla gjykimi është i pamëshirshëm dhe shumë i shpejtë.
“Në këto klube, nuk gjykohesh për atë që ke bërë, por për atë që nuk po bën. Ata do të të gjykojnë menjëherë”.


