Please enter at least 3 characters.

Fillojnë hetimet për manipulim votash edhe në Mitrovicë, pritet intervistimi i 43 kryesuesve të QKN-ve

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit nga komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Këto intervista po zhvillohen për shkak të dyshimeve për manipulim të numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.

Autoritetet theksojnë se qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimit të çdo rasti të dyshuar, me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Rinumërimi i votave u krye pas dyshimeve për manipulime të kandidatëve për deputetë.

Gjatë këtij procesi, votat për disa kandidatë ndryshuan, në disa raste deri në 6 mijë për një individ, ndërsa votat për partitë mbetën të pandryshuara.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra persona, kanë ndaluar dhjetëra dhe po vazhdojnë hetimet.

Përveç Prizrenit, Malishevës hetime po kryhen edhe në Ferizaj, Pejë dhe Drenas. /Telegrafi/