Please enter at least 3 characters.

“Fati ende është në duart tona”, Igli Tare kërkon nga Milani të këndellet dhe ta sigurojë Ligën e Kampionëve

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka dhënë një vlerësim të sinqertë për vështirësitë e fundit të klubit pas humbjes zhgënjyese 2-3 ndaj Atalantas.

Kjo disfatë ka rritur edhe më shumë presionin mbi “Rossonerët”, forma e të cilëve ka pësuar rënie të ndjeshme në fazën përfundimtare të sezonit. Tare pranoi se problemi kryesor është mungesa e përqendrimit, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë në klub.

“Duke u bazuar në ndeshjet e fundit, na mungon përqendrimi. Nuk ka kuptim ta mohojmë; të gjithë duhet ta marrim pjesën tonë të përgjegjësisë”.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit negativ, Tare e pa reagimin e vonshëm të skuadrës në ndeshje si një sinjal se Milani mund ta kthejë situatën, duke theksuar se tifozët “meritojnë më shumë”.

“E vetmja gjë pozitive është se fati ynë është ende në duart tona”, shtoi ai, duke nënvizuar se javët e fundit kanë qenë problematike, por përpara kësaj skuadra kishte bërë paraqitje shumë të mira për rreth dhjetë muaj.

Tashmë, sipas Tares, fokusi do të jetë te analiza e thellë e dështimeve të fundit, në mënyrë që Milani t’i sigurojë objektivat kryesore para përfundimit të sezonit.

Milani aktualisht zë pozitën e katërt me 67 pikë, aq sa ka edhe Roma në vendin e pestë, ndërsa Como renditet e gjashta me 65 sosh, ku kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar./Telegrafi/