Please enter at least 3 characters.

Hoxha kërkon falje pasi shpërndau ballinë të rreme të gazetës serbe 'Blic' për Time Kadrijajn

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, ka kërkuar falje pasi ka shpërndarë në rrjetet sociale një informacion të rremë, të paraqitur si ballinë e gazetës serbe “Blic”.

Hoxha kishte publikuar në Facebook një imazh të sajuar, kinse i përkiste numrit të sotëm të gazetës “Blic”, ku pretendohej se ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, kishte lavdëruar deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, për veprimin e saj në Kuvendin e Kosovës.

Në ballinën e rreme shkruhej: “Reagoi Marko Gjuriq: ‘Time Kadrijaj e ka treguar guximin dhe dinjitetin’. Gjuriq: Kështu mbrohet e vërteta”.

Hoxha e kishte shoqëruar publikimin me mbishkrimin: “Lëvdatat që nuk duhen”.

Pas publikimit, ai ka pranuar se materiali ishte i rremë dhe ka kërkuar falje për shpërndarjen e tij.

“Shpërndava para pak orësh një info të rremë dhe për këtë kërkoj falje. Në postimin tim shpërndava një foto të sajuar e ballinës së një gazete serbe me në qendër foton e deputetes Time Kadrija”, ka shkruar Hoxha.

Ai ka thënë se është bërë e vështirë të dallohet informacioni i vërtetë nga ai i rremë.

“Është bërë shumë e vështirë të ndash informacionin e vërtetë nga ai i rremë. Po kërkoj edhe një herë falje për shpërndarjen e një informacioni të rremë”, ka shtuar ai.

Fotomontazhi lidhej me incidentin e ndodhur një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti./Telegrafi.