Eliot Hashimi, kandidat i PSD-së: Kamerat e trafikut do të ulin kolonat dhe aksidentet në Prishtinë
Kandidati i Partisë Socialdemokrate (PSD) për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Eliot Hashimi, ka propozuar një zgjidhje konkrete për të lehtësuar trafikun dhe për të rritur sigurinë rrugore në kryeqytet: vendosjen e kamerave të shpejtësisë dhe të ndriçimit (dritës së kuqe), të njohura ndryshe nga qytetarët si “blicat”.
Sipas Hashimit, ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në rrjedhshmërinë e trafikut, duke ulur ngarkesën në rrugët kryesore të qytetit deri në 30 përqind.
“Këto kamera nuk kushtojnë më shumë se 3 mijë euro secila dhe mirëmbajtja e tyre, për një vit, kushton rreth 25 mijë euro. Nëse vendosen në zonat kyçe të Prishtinës, ndikimi në kolonat e gjata do të jetë i menjëhershëm”, deklaroi ai.
Hashimi thekson se ky nuk është një eksperiment i ri, por një praktikë tashmë e dëshmuar në vendet evropiane.
“Në Qipro, për shembull, vendosja e kamerave të tilla ka rezultuar me ulje deri në 39 për qind të aksidenteve fatale”, tha ai, duke shtuar se Prishtina ka kapacitet buxhetor për këtë projekt, por i mungon vullneti dhe guximi politik për ta zbatuar atë. /Telegrafi/


