Dy YouTube-rë rrezikojnë burg pasi u futën pa leje në stadiumin e Kupës së Botës
Dy YouTuberë argjentinas, Beni Marmol dhe Pato Perotta, po përballen me akuza penale pasi arritën të futeshin pa bileta në stadiumin Hard Rock në Miami gjatë një ndeshjeje të Kupës së Botës.
Sipas policisë së Miamit, ata arritën të kalonin tre nivele sigurie duke përdorur akreditime të skaduar dhe kështu hynë në stadium për ndeshjen mes Portugalisë dhe Kolumbisë.
Autoritetet thonë se dyshja kishte planifikuar të bënte transmetim live nga ngjarja.
Gjatë marrjes në pyetje, Marmol ka pranuar se është influencer dhe kishte qëllim të transmetonte ndeshjen, ndërsa Perotta ka deklaruar se ishte angazhuar nga një kompani mediatike dhe kishte përdorur akreditime nga një event i mëparshëm.
Të dy janë arrestuar për 'pengim të një eventi sportiv ose argëtues', vepër që mund të dënohet deri në 5 vite burg dhe gjobë deri në pesë mijë dollarë.
Më vonë ata janë liruar me kusht, ndërsa menaxheri i tyre ka deklaruar se nuk do të deportohen, por nuk do të lejohen të afrohen më pranë stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet e Kupës së Botës.
Rasti i tyre ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke hapur debat për sigurinë në stadiume, ndonëse autoritetet kanë theksuar se kontrollet do të ashpërsohen edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme të Kupës së Botës. /Telegrafi/


