Dy filma kosovarë në “Festivalin e Kombeve”
Regjisorët kosovarë do të garojnë për çmimet e festivalit, i cili nis rrugëtimin më 13 të këtij muaji dhe gjatë shtatë ditëve do të jetë nikoqir i filmave nga vende të ndryshme të botës.
“Festivali i Kombeve” këtë vit shënon edicionin e 38-të me radhë dhe është një nga festivalet më prestigjioze për film të metrazhit të shkurtër që mbahen në shtetin austriak.
Përveç regjisorëve nga Kosova, për gjashtë çmimet e “Festivalit të Kombeve” (tri vendet e para, çmimi special për filmin më të mirë, çmimi për filmin eksperimental dhe “Ebenseer Bear”), do të “luftojnë” edhe regjisorë nga Gjermania, Spanja, Australia, Italia, Kroacia, Franca, Belgjika, Rusia etj.
Regjisori Burim Haliti, duke zbërthyer temën e filmit “Hekurishtja”, është shprehur optimist lidhur me mundësinë për t’u kthyer në “shtëpi” me ndonjë çmim.
“Filmi është realizuar në vitin 2007 dhe është një dramë që flet për mbijetesën dhe kohë pas kohe kthehet edhe në komedi”, ka shpjeguar Haliti. “Jam shumë optimist për ndonjë çmim pasi që filmi është vlerësuar shumë në secilin festival që është prezantuar brenda dhe jashtë vendit”, ka shtuar ai.
Haliti po ashtu ka folur edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes në festivale të tilla. “Çdo festival e ka rëndësinë e vetë e sidomos një festival i tillë që ka traditë dhe në të marrin pjesë regjisorë nga aq shumë vende të botës. Veç kësaj, festivale të tilla na japin mundësinë e njohjes dhe krijimit të kontakteve me kineastë botërorë me të cilët do të mund të krijojmë edhe bashkëpunime”, ka thënë ai.
Regjisori Besim Ugzmajli, i cili në “Festivalin e Kombeve” do të konkurrojë me filmin “Gruaja e veshur në të zeza”, ka thënë se me gjithë konkurrencën e madhe, rëndësia qëndron te pjesëmarrja. “Realisht, prezantimet jashtë vendit i japin kuptim jetës së një filmi. Përvojat e tilla kanë ndikim të madh në ndërtimin e secilit regjisor”, ka thënë Ugzmajli.
Ai ka shpjeguar se “Gruaja e veshur në të zeza” trajton një temë sociale-psikologjike dhe deri më tani ka marrë pjesë në katër festivale. “Megjithatë, ky është një festival shumë i veçantë për vetë faktin se ka konkurrencë mjaft të madhe”, ka thënë ai. /Koha/


