Drejtori i Kodrës së Diellit optimist për sezonin e ardhshëm
Intervistoi: Aroma Aliti
Kodra e Diellit është njëra nga qendrat më të frekuantuara të skijimit gjatë periudhës dimërore në Maqedoninë e Veriut. Probleme të theksuara gjatë sezonit të kaluar ishin mungesa e parkingjeve si dhe kolonat e vazhdueshme të automjeteve në rrugën Tetovë-Kodër e Diellit. Duke qenë afër sezonit të ri, Telegrafi ka biseduar me drejtorin e Kodrës së Diellit, Adem Avziu, i cili flet më hollësisht per sfidat që ka hasur kjo qendër si dhe planet dhe parashikimet e tij për sezonin e ardhshëm.Si drejtor i Kodrës së Diellit, si e prisni sezonin e ri të skijimit dhe me çfarë ndryshimesh në krahasim me sezonin e kaluar? Sezonin e kaluar fatmirësisht e përmbyllëm me një sukses të jashtëzakonshëm për sa i përket numrit të skiatorëve dhe frekuentimit të Ski-Qendrës. E gjithë kjo ishte fal investimeve të bëra, aktiviteteve të shumta rinore që gjallëruan Kodrën e Diellit, por edhe sigurisht fal kushteve atmosferike. Mund të them që këtë sezon jam optimist që ky numër do të shumëfishohet.
Investime të realizuara:
- Ndërtimi i dy mini objekteve hotelierike në Ski-Qendrën Kodra e Diellit
- Ndërtimi i pesë tualeteve publike
- Asfaltim i rrugës që lidh shtigjet e skijimit me parkingun e Qendrës së Skijimit
- Riparim i shtyllave të dëmtuara të çelikut të dyulëses “Ceripashina” dhe lëshimi i saj në përdorim pas një kohe shumë të gjatë
- Sistem i ri i ndriçimit të shtigjeve të skijimit duke mundësuar 2 km shtigje të reja për skijim nate
- Shënjim i shtigjeve të skijimit – vendosja e shenjave përveç orientimit të skiatorëve, ka për qëllim edhe sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes, si të skiatorëve, ashtu edhe të këmbësorëve nëpër shtigje. Me shënjimin e shtigjeve të skijimit Kodra e Diellit mori pamje dinjitoze si destinacion turistik atraktiv dhe konkurrues në rajon.
- Rekonstruim dhe izolim i të gjitha objekteve ekzistuese pranë ski-ashensorëve
- Ndërtim i shkallëve për këmbësorë për zbritje/ngjitje deri në shtigjet e skijimi
- Shpërndarja e rrjetit optik në të gjitha hyrjet e ski-ashensorëve, në mënyrë që leximi i ski-biletave të jetë më efikas
- Për herë të parë kemi bërë aktivizim të linjës telefonike pa pagesë 15767 si instrument që ka për qëllim të informojë vizitorët dhe të referojë nevojat e tyre në shërbimet përkatëse të Ski-Qendrës. Gjegjësisht, përveç informimit, kjo linjë ka për qëllim edhe sigurinë e skiatorëve, posaçërisht kur ata ndodhen në situatë rreziku.
Në këtë mënyrë është bërë një transformim i jashtëzakonshëm i Kodrës së Diellit duke e shëndërruar në një Ski-Qendër të zhvilluar pa i cënuar asnjë gjë që reflekton Kodra e Diellit.


