Please enter at least 3 characters.

"Do të flasim për këtë" - Alonso jep deklaratë për sjelljen e pahijshme të Vinicius

Real Madrid ka triumfuar ndaj Barcelonës me rezultat 2-1 në raundin e dhjetë të La Ligës, në një El Clasico të zjarrtë dhe plot emocione.

Skuadra “mbretërore” kaloi në epërsi në minutën e 22-të me një gol të Kylian Mbappe, ndërsa Barcelona barazoi në minutën e 38-të përmes Fermín López. Vetëm pesë minuta më vonë, Jude Bellingham riktheu avantazhin për Realin me një goditje të saktë, duke i çuar madrilenët në pushim me epërsi 2-1.

Në minutën e 72-të, trajneri Xabi Alonso vendosi ta zëvendësojë Vinicius Juniorin me Rodrygon, por sulmuesi brazilian reagoi me nervozizëm. Ai u pa duke gjestikuluar dhe shprehur pakënaqësinë gjatë daljes nga fusha, madje vazhdoi të debatojë edhe gjatë rrugës për në dhomat e zhveshjes.

Vinicius shpërthen pas zëvendësimit nga Xabi Alonso telegrafi.com

Pas ndeshjes, Alonso u pyet për incidentin dhe zgjodhi të mos e dramatizojë situatën, duke dhënë deklaratë të matur.

“Nuk dua të humbas fokusin nga ajo që është e rëndësishme. Do të flasim për këtë mes nesh. Vini kontribuoi shumë në këtë fitore të rëndësishme dhe të merituar. Ishte një ndeshje e madhe dhe ekipi tregoi karakter. Ky rezultat na jep ndjesinë se jemi një skuadër konkurruese në ndeshjet e mëdha”, deklaroi Alonso.

Vinicius, i njohur për temperamentin e tij emocional dhe shpesh në qendër të polemikave me kundërshtarët apo tifozët, ka zhvilluar 19 ndeshje këtë sezon, me 6 gola dhe 5 asiste. Sipas Transfermarkt, kartoni i tij vlerësohet në 150 milionë euro. /Telegrafi/