Djali që dyshohet se e privoi nga jeta nënën e tij në Restelicë, kishte aktakuza të mëparshme
Një vrasje e rëndë ka ndodhur në fshatin Restelicë të Dragashit ku dyshohet se djali 30-vjeçar, F.B e ka vrarë nënën e tij 60-vjeçare. T.B. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së mërkurës.
30-vjeçari i cili dyshohet se kreu vrasjen është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë.
Këto i ka deklaruar për KosovaPress drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija, i cili tha se viktima ka pasur lëndime në gjithë trupin, por që në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur mjete të forta apo armë.
“Rreth orës një të mëngjesit të ditës së sotme kemi pranuar një njoftim përmes telefonit se mund të jetë një person i vdekur në një familje në fshatin Restelicë. Njësitë tona kanë shkuar në vendin e ngjarjes e kanë hasur në shtëpi viktimën femër e Kosovës. I dyshuar për këtë rast sipas hetimeve të cilat janë bërë tej tash është djali i saj rreth moshës 30 vjeçare. Lidhur me këtë është njoftuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda, po ashtu hetimet rajonale me të gjitha njësitë tjera dhe eprorë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë kryer të gjitha veprimet hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes. I dyshuari është arrestuar ka qenë në kontroll mjekësor edhe tash me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, tha ai.
Sipas drejtorit të Policisë për rajonin e Prizrenit në vendit e ngjarjes nuk është gjetur mjet i dyshimtë qoftë mjet i fortë apo armë. Sipas tij dyshimet janë se një konfrontim fizik apo përmes duarve ka quar në vdekjen e viktimës.
Alija theksoi se viktima e moshës rreth 60-vjeçare ka pasur lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.
“Bazuar në raportet që i kemi pranuar nga hetuesit në vendin e ngjarjes, në vendngjarje nuk janë gjetur mjete të dyshimta, mjete të forta apo armë të cilat mund të kenë qenë të përdorura për me shkaktuar pasojën e vdekjes. Dyshimet janë se do të thotë me ndonjë konfrontim fizik ka ardhur, me duar të thata deri te lëndimet me pasoja të vdekjes. Vlen të theksohet se kjo familje është katër anëtarëshe, po në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja apo incidenti, në familje kanë qenë vetëm viktima, nëna, edhe djali, sepse dy familjarë të tjerë sipas njoftimeve janë me punë jashtë Kosovës… (Mosha e viktimës) Rreth 60 vjeçare, lëndime në pjesë të ndryshme të trupit sipas shikimeve të para që janë bërë deri tash në vendin e ngjarjes, ndërsa Instituti Mjekoligjor do t'i jep raportin definitiv për lëndimet edhe shkaqet e vdekjes”, tha ai.
Edhe drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija deklaroi sipas raporteve mjekësore që i janë kryer sot ekzitojnë dyshime se i dyshuari ka probleme të shëndetit mendor.
Ai theksoi se 30-vjeçari edhe më herët kishte qenë i njohur për organet e rendit për dhunë në familje pasi në vitin 2021 dhe në vitin 2024 ishin regjistruar raste për dhunë kryesisht brenda familjes.
“Raportet mjekësore të cilat janë gjetur nga hetuesit aty, po ashtu vizita mjekësore specialistike që është bërë sot në spitalin e Prizrenit e konstatojnë një gjë të tillë sepse ai dyshimet janë se ka çrregullime psikike… Këta thashë kanë qenë një familje katër anëtarëshe edhe ky ka tre raste të regjistruara të cilat janë proceduar në polici, prokurori edhe në gjykatë, në vitin 2021 edhe rasti i fundit në vitin 2024. Të gjitha rastet janë proceduar edhe janë marrë veprimet konkrete. Rastet e tij lidhen do të thotë me sulm apo lëndim kryesisht brenda familjes”, tha ai.
Edhe Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar për këtë vrasje të rëndë për fshatin Restelicë të Dragashi.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari, F.B., dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke ushtruar dhunë fizike në shtëpinë e tyre në fshatin Restelicë”, thuhet në njoftimin e Prokuroriasë Themelore të Prizrenit.
Nga Prokuroria deklaruan se i dyshuari F.B edhe më herët ka pasur aktakuza për dhunë në familje dhe se për këto raste janë nxjerr aktgjykime dënuese.
“Nga të dhënat zyrtare të prokurorisë, rezulton se i dyshuari ka pasur çrregullime mendore, si dhe ka qenë më herët i përfshirë në tri (3) raste penale të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit. Një (1) rast është trajtuar gjatë vitit 2024, ndërsa dy (2) raste gjatë vitit 2021. Për këto raste, Prokuroria ka ndërmarrë veprimet ligjore përkatëse, ka ngritur aktakuza dhe për të njëjtat raste janë nxjerrë aktgjykime dënuese”, thonë nga Prokuroria. /Kp/


