Please enter at least 3 characters.

Deri më 30 maj të gjitha hotelet në Shqipëri duhet të kenë pajisje POS

Bankat shqiptare garantojnë pajisjet falas dhe komisione më të ulëta

Administrata Tatimore ka konfirmuar se data 30 maj 2026 është afati i fundit për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me para në dorë në tre fusha kryesore: strukturat akomoduese (hotele, bujtina, motele, resorte), sektorin e transportit dhe institucionet publike me kapital shtetëror. Ky detyrim përkon me strategjinë e qeverisë për digjitalizimin e pagesave në turizëm dhe transport.

Në emisionin “Pro Business” të TV Klan, sot, më 16 maj ishte e ftuar Odeta Paloka, përfaqësuese nga Shoqata Shqiptare e Bankave, e cila dha detaje të rëndësishme për gatishmërinë e bankave dhe lehtësirat që ofrohen.

Paloka deklaroi se bankat janë plotësisht gati për të përmbushur kërkesën ligjore. Ajo theksoi se bankat e kanë mbështetur këtë nismë të qeverisë, pasi e kanë kërkuar vetë ndër vite.

Një nga pikat më të rëndësishme të intervistës ishte sqarimi i kostove. Paloka theksoi se kostot fillestare për pajisjen me POS nuk ekzistojnë. Të gjitha bankat e ofrojnë pajisjen falas.

Paloka njoftoi se ligji për shërbimet e pagesave po ndryshohet dhe do të përfshihet ulja e kostos së “interchange”, pra kostos që bankat i paguajnë njëra-tjetrës për çdo transaksion me POS brenda tregut shqiptar. Kjo do të sjellë një ulje deri në 1% për komisionin e tregtarit për klientët vendas. Për kartëmbajtësit e huaj, komisionet mbeten të njëjta, por kjo nismë përbën një shtytje të rëndësishme për përdorimin e kartave.

Për çështjen e komisioneve, Paloka shpjegoi se komisioni total prej 3% i vlerës së shitjes nuk shkon vetëm te bankat shqiptare. Rreth 1.7% e këtij komisioni merret nga bankat që kanë lëshuar kartën, të cilat kryesisht janë banka ndërkombëtare. Një pjesë tjetër merret nga skemat e pagesave për ndërmjetësimin e tyre. “Bankat shqiptare, në fakt, e kanë mbajtur me humbje biznesin e POS-it, duke e bërë këtë për t’u shërbyer klientëve dhe për të nxitur pagesat elektronike.

Për bizneset në zonat e thella si Valbona apo Dardha, ku ka probleme me lidhjen e internetit apo energjinë elektrike, Paloka shpjegoi se pajisjet POS punojnë me Wi-Fi, me kabllo ose mbajnë një çip karte si telefoni, që ofron lidhje me të dhëna nga kompanitë mobile. Ekzistojnë zgjidhje për pagesa offline, por ato kanë siguri më të ulët. Ajo theksoi nevojën për harmonizim të të gjithë aktorëve, bankave, qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, për të përmirësuar infrastrukturën e komunikimit.

Paloka shprehu gjithashtu bindjen se pagesat elektronike do të ndihmojnë në rritjen e të ardhurave të deklaruara nga subjektet turistike. Bumi turistik i Shqipërisë ka sjellë tashmë një rritje të madhe të xhirove nga pajisjet elektronike. Ajo theksoi se një biznes që nuk pranon pagesa me kartë humb klientë dhe dëmton imazhin e tij. Pranimi i pagesave elektronike është një investim në imazh, njësoj si investimi në kuzhinë, dhoma apo staf./Tv Klan