Please enter at least 3 characters.

Decepcioni dhe paqja

2016/01/decepcioni-dhe-paqja_hd.jpg

Dy skenarët e relacionit Kosovë-Serbi. Të dyja janë relevante dhe përbëjnë realitetin tonë. Vëmendja e përqendruar në skenarin e parë që përshkruan progresin drejtë shtetësisë së Kosovës, na bënë të injorojmë detaje të rëndësishme të skenarit të dytë që përshkruan luftën e Serbisë kundër pavarësisë sonë.

Skenari 1: Ndodhemi në fund të vitit 2013 dhe nëse krahasojmë Serbinë sot me atë të vitit 1999, shohim një ndryshim të madh. Tanket, paramilitarët, dhunuesit, vrasësit nuk janë më në Kosovë. Serbia ka nënshkruar kapitullimin në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999 dhe është tërhequr nga Kosova.

Beogradi vazhdon ëndrrën për Kosovën. E quan djep të "civilizimit serb" dhe siguron qytetarët e saj përditë se Kosova ka qenë dhe gjithmonë do të jetë Serbi. Me fjalë dhe premtime të përditshme publike, Beogradi zëvendëson pamundësinë e vet për ta kontrolluar Kosovën.

Në fakt, gjatë gjithë këtyre viteve, ndërkombëtarët (SHBA-të kryesisht) kanë ndihmuar në ndërtimin e shtetit të ri. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe shumica e vendeve më të fuqishme në botë e njohën. Me marrëveshjen e vitit 2013, Beogradi në njëfarë mënyre u tërhoq nga veriu. Serbia pranoi që policët serb të marrin pagat nga shteti i Kosovës dhe vet takimi tani rutinor i Daçiqit me Thaçin ngritë kundërshtarin e tij në nivelin e homologut. Edhe pse deklarohet ndryshe.

Më shumë se kurrë më parë këto ngjarje kanë shtyrë Serbinë larg e më larg qëllimeve nacionaliste ndaj Kosovës. Rrjedhimisht, të dyja vendet po ecin drejtë integrimit në BE, që nënkupton se gradualisht edhe një pjesë tjetër e qytetarëve të Serbisë do të pranojnë realitetin se Kosova është shtet.

Skenari 2: Vazhdimësia e kësaj ëndrre nacionaliste është adaptuar në një strategji të re. Para disa viteve, akademikët nacionalistë serbë që nxitën luftën në Ballkan ishin mbledhur prapë për të krijuar një plan përmes të cilit serbët do të fitonin në paqe atë që kishin humbur përmes luftës.

“Memorandumi 2” (në krahasim me Memorandumin famëkeq të vitit 1986), duke kuptuar që disa faktorë ndërkombëtarë nuk do të kundërshtonin ndarjen e Bosnjës, kërkon që Serbia të mobilizohet për të arritur ëndrrën e Serbisë së Madhe. Strategjia kërkon që Republika Srpska (RS) të shfaqet si serbe në çdo rast dhe mënyrë, dhe që ajo të lidhet sa më shumë ekonomikisht me Rusinë. Të aktivizohen jo vetëm politikanët, por edhe mediat si dhe figurat kulturore e publike për të ndihmuar në këtë proces. Te bëhen gjërat në asi mënyre që në mendjen e njerëzve RS të asosaciohet me Serbinë e jo Bosnjën. Kështu, me kohë të bëhet edhe fakt i pranueshëm nga faktorët e jashtëm se Republika Srpska natyrisht jo vetëm që i takon Serbisë, por është e padrejtë të jetë nën Bosnje.

Përveç këtij dokumenti, tani për tani si publik nuk kemi një të tillë që flet për Kosovën konkretisht, por mënyra se si i qasen politikanët Serb vendit tonë është në harmoni të plotë me Memorandumin

Beogradi bën çdo gjë të mundshme që veriun ta portretizojë si pjesë ekskluzivisht serbe dhe t’i ndihmojë asaj të krijohet në një entitet që i ngjanë RS-së. Me Kosovën Serbia nuk ndalet në veri. Ajo qëndron prapa idesë se në asnjë mënyrë Serbia të mos e njoh atë si shtet dhe që as vendet e tjera të mos e shohin si të tillë. Ky qëndrim i Beogradit është i kristalizuar dhe mund të vërehet nga raportet e zyrtarëve serb. Thuajse nuk shkon ditë që nuk lexojmë ndonjë deklaratë nga Serbia e cila ndërlidhet me qëllimet ndaj Kosovës.

Është e lehtë të kuptohet se çka po ndodh në Beograd, por si do të ketë ndikim tek ne?

Çështja ndërlikohet me qëndrimin “neutral” të BE-së (që rezulton nga mos vullneti serioz për të zgjedhur problemet ballkanike, preokupimet tjera dhe pengesat burokratike). Këtu duhet shtuar edhe faktorin e tretë: përforcimi i marrëdhënieve Serbi-Rusi që ndikon në krijimin e një pasigurie për Kosovën. Përveç marrëveshjeve të ndryshme ekonomike, si ajo e gazit që sjell rreth 1.2 miliard dollarë në Serbi, borxhit prej 500 milionë dollarëve, ndër tjera, Beogradi më 17 nëntor nënshkroi edhe një pakt ushtarak me Moskën.

Rrjedhimisht, pikëpamja serbe për Kosovën, thuajse shumë pak ka ndryshuar. Ajo ka Rusinë që e përkrah, BE-në e cila është e paqartë se çfarë Ballkani dëshiron dhe SHBA-të të cilave nga dita-ditës ju shtohen sfidat globale.

Në kohën kur mendojmë që bota sillet rreth nesh, në shekullin XXI ajo me të vërtet sillet rreth Azisë: në Kinë, Japoni, Kore Jugore, Indonezi, Indi... Aty është e tanishmja, e ardhmja dhe aty qëndron vëmendja e Amerikës. Siç deklaroi Hillary Clinton në vitin 2011, shekulli XXI është shekulli i Amerikës në Azi dhe Oqean Paqësor. Kjo nuk do të thotë se SHBA-të nuk do merren me Kosovën e rajonin, por gjithsesi jep indikacione se ato do të merren me të më pak. Kjo mund te vërehet nga mënyra se si është bartur procesi i dialogut Kosovë-Serbi në duart e Brukselit. SHBA-të më pak, Rusia dhe BE më shumë. Serbia nuk do tjetër për të ndjekur politikat e saja hegjemoniste në të ardhmen kur çështjet problematike dhe të “pazgjedhura” sikur Bosnja e Maqedonia do të shqyrtohen prapë. Pse mos ta mbajë edhe Kosovën në këtë listë?

Ekzekutimin e këtij plani Serbia e ka gjithnjë e më të lehtë përmes partnershipit ekonomik Kosovë-Serbi, ngase ajo nuk është marrëdhënie e shëndosh mes dy shteteve, por varësi e plotë e njërës në tjetrën, varësi kjo e cila krijon grupe të ndryshme "ekonomike" brenda Kosovës që duke mbrojtur interesat e tyre të ngushta mirëmbajnë status quon që Serbia dëshiron për t'i arritur planet afatgjata.

Nga kjo mund të konkludohet se të dyja skenarët po bashkëjetojnë në mënyrë paralele. Si është mundur që edhe shteti i Kosovës, edhe ëndrra nacionaliste hegjemonike serbe të deklarojnë fitore?

Beogradi jo vetëm se po ëndërron për të ardhmen. Ajo është e vetëdijshme dhe ka shumë besim në strategjinë e saj që gradualisht, me durim do t’i arrij qëllimet. Prandaj, qetësia e saj mashtruese tani duhet të na shqetësojë më shumë se zhurma e bërë më 17 shkurt të vitit 2008.